Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke shprehur pritshmërinë e tij për një vendim që, sipas tij, do të konfirmojë pafajësinë e tyre.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti e përshkruan luftën e UÇK-së si një luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë”, shkruan Mexhiti.
Ai e cilëson procesin ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë si “të padrejtë dhe kundërthënës”, duke theksuar se pret që të merret një vendim që, sipas tij, do të vërtetojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, deklaron Mexhiti.
Më tej, ai thekson rëndësinë që, sipas tij, ka sakrifica e bërë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.
“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, guxim dhe gjak. Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë”, shkruan ai.
Në fund të statusit, Mexhiti shprehet: “Momenti i së vërtetës po afron.”
“Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet. Për lirinë, drejtësinë, dinjitetin. Për Kosovën”, përfundon ai.
Burimi: alfax.mk


