Ylli i Tottenhamit, Randal Kolo Muani, ka qenë i përfshirë në një aksident automobilistik.
Fatmirësisht, raportohet se ai ka dalë pa lëndime nga përplasja, raporton “The Sun”.
Aksidenti ndodhi pasi i shpërtheu një gomë teksa francezi po voziste në autostradën M25 në Hertfordshire.
Shoku i skuadrës, Wilson Odobert, ndaloi për të kontrolluar nëse Kolo Muani ishte mirë.
Trajneri i Spurs, Thomas Frank, e konfirmoi incidentin, duke thënë: “Kolo Muani dhe Wilson Odobert janë të dy mirë.
Të dy ishin të përfshirë në një aksident të vogël. Ishte shpërthim i një gome. U vonuan pak, por do të jenë këtu më vonë sonte. Në fakt, nuk jam plotësisht i sigurt nëse ishin të dy në të njëjtën makinë. Ishte gjatë rrugës për në aeroport”.
I pyetur nëse do të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër Eintracht Frankfurtit të mërkurën, Frank u përgjigj:
“Kështu e kuptoj (që janë në rregull për të luajtur).
Ende nuk kam folur personalisht me ta. Ata do të udhëtojnë më vonë. Pres plotësisht që të jenë të gatshëm për ndeshjen”.
Kolo Muani dhe Odobert u panë në anë të rrugës pranë një Ferrari të dëmtuar, me airbagun e hapur.
Goma e përparme e djathtë ishte shpërthyer dhe rrota mungonte, ndërsa makina kishte pësuar dëmtime edhe në pjesën e harkut të rrotës dhe grilën e përparme. Xhami i përparmë ishte gjithashtu i çarë.
Kamerat e trafikut treguan se të dy lojtarët dhe makina ndodheshin në një zonë ndalimi, ndërsa shërbimet emergjente mbërritën në vendngjarje.
Ata po udhëtonin drejt aeroportit të Stansted për t’u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës së Tottenhamit para fluturimit drejt Gjermanisë.
Për shkak të vonesës, avioni u nis pa ta, por pritet që ata të udhëtojnë me një fluturim të mëvonshëm.
Burimi: botasot.info


