Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo sinqerisht dëshiron të shohë fqinjin e saj duke avancuar drejt anëtarësimit të plotë, përmes sukseseve në procesin e reformave dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Ky është qëndrimi i Ministrisë së Jashtme bullgare të publikuar pas, siç thonë ata, shumë pyetjeve nga mediat lidhur me natyrën e kompromisit evropian të arritur në vitin 2022 mes dy vendeve.
“Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo sinqerisht dëshiron të shohë fqinjin e saj duke avancuar drejt anëtarësimit të plotë, përmes sukseseve në procesin e reformave dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne presim hapin e parë në këtë proces, sipas zotimeve të nënshkruara nga Shkupi në korrik 2022 – “…hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për qytetarët që jetojnë në territorin e këtij vendi dhe janë pjesë e kombeve të tjera, siç është populli bullgar, sipas procedurave të brendshme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së bullgare.
Nga aty theksojnë se marrëveshjet duhet të zbatohen, pavarësisht nëse janë shumëpalëshe apo dypalëshe dhe se moszbatimi i marrëveshjeve tashmë të nënshkruara cenon besimin, qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe shkakton hakmarrje.
“Nga miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut, ne gjithmonë presim përmbushje të ndërgjegjshme të të gjitha obligimeve të marra dhe jo përpjekje për të interpretuar nëse procesi i integrimit evropian kërkon përmbushjen e tyre. Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE ka parametra të përcaktuar qartë. Është e papërgjegjshme dhe kundërproduktive të prishet ekuilibri i vështirë dhe delikat me interpretime të papërshtatshme dhe tendencioze që devijojnë nga kriteret e përcaktuara qartë nga Këshilli i BE-së për këtë çështje. Veçanërisht të rrezikshme janë përpjekjet për të paraqitur në mënyrë manipulative kushtet që tashmë janë rënë dakord dhe përshkruar në kompromisin e vitit 2022, si disa kërkesa të reja të Republikës së Bullgarisë”, thuhet në njoftim.
Në rastin e Pendikovit, Bullgaria kujton se sulmuesi i dytë i dyshuar ende nuk është arrestuar dhe po ikën me sukses nga drejtësia, ndërsa sulmuesi i parë i dyshuar po pengon zhvillimin e seancave gjyqësore dhe ka kërkuar që t’i kthehet pasaporta. Në deklaratë thuhet se Bullgaria pret që Maqedonia e Veriut të dëshmojë seriozitetin e saj në ndjekjen penale të krimeve të urrejtjes kundër bullgarëve.