MPB Maqedoni njofton se Sektori për Krim Kompjuterik alarmon për paraqitje të shpeshtë fushatave të rrejshme për tregti me kriptovaluta.
Nga MPB thonë se kjo fushatë e rrejshme ka filluar me publikime në Facebook dhe Instagram, duke treguar informacione nga portale të njohura nga Maqedonia.
“Në njoftimet thuhet se “intervistat janë fshirë pasi banka qendrore nuk do që ta dini këtë sekret” dhe përmenden persona të njohur nga vendi ynë, madje publikojnë foto të tyre për ta bërë më legjitim njoftimin, ku thuhet se ata mund të fitoni para të konsiderueshme duke tregtuar kriptovaluta dhe gjithçka që duhet të bëni është të vizitoni linkun e dhënë të URL-së”.
“Lidhja ose linku URL çon në një faqe interneti që është një platformë tregtare kriptomonedhash, por nuk ka detaje zyrtare të regjistrimit të kompanisë, asnjë informacion juridiksioni ose ndonjë gjë që tregon se si të lidheni me personin juridik të cilit do t’i besoni paratë”.
“Regjistrimi është i parëndësishëm, nuk kërkohet fjalëkalim. Hyni menjëherë dhe ju kërkohet të transferoni para ose të blini kriptovaluta. Ata janë të mbuluar ligjërisht sepse kanë një pohimin në faqen e tyre që ju pranoni rrezikun e humbjes së fondeve gjatë tregtimit”, thonë nga MPB.
Prej atje shtojnë se nuk ekzistojnë mënyra për të konfirmuar nëse kjo është platformë e vërtetë, por shtojnë se të gjithë treguesit thonë se është operacion i dyshimtë.
“Aktualisht, kjo fushatë është mjaft e përhapur në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram në të gjithë Evropën dhe është e rregulluar sipas shteteve, përkatësisht emrat e njerëzve të famshëm përdoren për legjitimitet më të madh të saj”, thonë nga MPB.