Jose Mourinho do të rikthehet edhe një herë tjetër në “San Siro” si kundërshtar gjatë këtij sezoni, pas çerekfinales së Kupës së Italisë, që edhe pse e pa të dilte kokulur pas humbjes 2-0, në të cilën zbriti për herë të parë në këtë stadium në drejtimin e një tjetër skuadre, përballë Interit “të tij”.
“Speciali” ka ngelur i tillë për Interin dhe tifozët që nga ajo tripletë e 2010-ës, kur në stolin e zikaltërve sillte në Milano trofeun e kampionatit, Kupës së Italisë dhe Champions League, duke shënuar me germa të arta emrin në historinë e klubit milanez.
Sot ama, portugezi në timonin e Romës do të jetë rival i pamëshirshëm për 90 minuta duke tentuar të jetë ai që jo vetëm do t’i vendosë stërkëmbëshin vendësve në rrugën e tyre drejt titullit, por edhe do të provojë të kapë Juventusin në vendin e katërt, të paktën për sa kohë matematika ia lejon.
Por ndërsa planet e Murinjos vërtiten rreth përgatitjeve për të marrë tri pikët, humbja e mundshme do të sillte një ndjenjë të paprovuar më parë për trajnerin.
Asnjëherë Murinjo nuk është mposhtur nga e njëjta skuadër në të gjitha ndeshjet që ka luajtur me të brenda sezonit zyrtar. Pas humbjes së fazës së parë dhe asaj në Kupë, Interi rrezikon të bëhet i pari ndaj të cilit Murinjo nuk merr asnjë përgjatë një sezoni. E për ta zgjeruar tablonë te dueli mes dy ekipeve, statistikat që ndajnë mes tyre janë të shumta.