Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Kosovës lidhur me plagosjen e Milan Vukashinoviqit në veri ka nxjerrë detaje të reja për rrethanat e rastit, ndërsa motra e tij thotë se në organizimin e sulmit ishte i përfshirë një bashkëpunëtor i afërt i Milan Radoiçiqit.
Vukashinoviq ishte plagosur më 1 nëntor 2025 në fshatin Jelashcë, ndërsa rrethanat e ngjarjes vazhdojnë të jenë objekt hetimi.
Motra e tij, Ivana Vukashinoviq, ka deklaruar për mediumin serb Nova.rs se familja ka mësuar përmes hetimeve të Prokurorisë së Kosovës për personat që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e ngjarjes.
Sipas saj, një nga personat e përmendur në aktakuzë me inicialet A.F. është Aleksandar F., të cilin ajo pretendon se e njeh që nga shkolla dhe se ka punuar me të në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut.
“Është pak të thuhet se jemi në shok, veçanërisht pasi njëri prej organizatorëve është personi me inicialet A.F. Bëhet fjalë për Aleksandar F., bashkëpunëtorin dhe mikun e parë të Milan Radoiçiqit”, ka deklaruar ajo, transmeton KosovaPress.
Ivana Vukashinoviq thotë se pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor 2022, A.F. kishte ndikim të konsiderueshëm te ish-policët dhe zyrtarët serbë në veri.
Sipas saj, vëllai i saj, i cili nuk ishte larguar nga vendi i punës, ishte etiketuar si “tradhtar” dhe “spiun”.
“Meqë Milani nuk e la vendin e punës, Aleksandar F. e shënjestroi si tradhtar dhe spiun, ndërsa personat nga veriu i Kosovës që kishin kontakte me Milanin i paralajmëronte duke u thënë se Milani ishte armik i shtetit dhe se do të përballej me pasoja”, ka pretenduar ajo.
Familja e Vukashinoviqit thotë se institucionet serbe nuk u kanë dhënë përgjigje për rrethanat e plagosjes, ndonëse ka kaluar gati një vit nga ngjarja.
“Familja, për fat të keq, nuk ka marrë asnjë shpjegim, vetëm një mur heshtjeje. Të gjitha institucionet janë kontaktuar, por pa përgjigje”, ka thënë motra e tij.
Ajo ka deklaruar se hetuesit kosovarë nuk kanë arritur te emri i A.F. përmes familjes, por nga ekspertiza e telefonave të sekuestruar te Vidosav Mitroviq.
Mitroviq është arrestuar nën dyshimin se ka ndihmuar në tentativën për vrasjen e rëndë të Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi.
“Askush nga familja nuk e ka përmendur Filipoviqin. Ata kanë arritur tek ai përmes ekspertizës së 11 telefonave që i kanë gjetur te Vidosav Mitroviqi”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, sipas motrës së tij, Vukashinoviq ndodhet në Kragujevc dhe vazhdon të jetë i palëvizshëm.
Ajo ka thënë se gjendja e tij ishte përmirësuar gjatë 21 ditëve të trajtimit në Qendrën Klinike të Nishit, por është përkeqësuar pas kthimit në paraburgim.
“Kur ishte 21 ditë në Qendrën Klinike të Nishit, pati përmirësime, por pa terapi në paraburgim, gjendja e tij u kthye në pikën e mëparshme. Mori miratimin për të vazhduar trajtimin në VMA, por në momentin e fundit u bllokua”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pasojat e plagosjes pritet të jenë të përhershme.
Ivana Vukashinoviq ka pretenduar gjithashtu se gjatë një bisede me A.F., më 31 gusht, ai i kishte thënë se ishte në dijeni për kontaktet e saj dhe të nënës së saj me Policinë e Kosovës.
“Ai më tha drejtpërdrejt se e dinte për kontaktin e nënës sime dhe timin me Policinë e Kosovës, se nëna ime gjithmonë më njofton kur jep deklarata si palë e dëmtuar, se presidenti ynë është Kurti dhe se ne jemi tradhtare”, ka deklaruar ajo.
Hetimet për plagosjen e Vukashinoviqit janë zhvilluar nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë.
Sipas Nova.rs, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk është deklaruar zyrtarisht për rastin. Në mediat pranë pushtetit serb ishin publikuar pretendime se Vukashinoviq ishte arrestuar për spiunazh dhe ishte plagosur gjatë përpjekjes për t’u arratisur.
Ndërkaq autoritet në Kosovë kanë thënë se se ai ishte plagosur nga pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë dhe më pas ishte marrë me forcë nga territori i Kosovës.
Rasti kishte ndodhur më 1 nëntor 2025 në fshatin Jelashcë, në zonën e Leposaviqit.
Burimi: botasot.info


