Një nga dilemat më të mëdha që shtrohet gjatë procesit gjyqësor për vrasjen mizore të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska është: Nëse vajza është rrëmbyer për para, pse është vrarë menjëherë?
Nëna e Vanjës, Zorica Gjorçevska, dëshmoi se ish-bashkëshorti i saj, Aleksandar Gjorçevski, i cili akuzohet për bashkëpunim, menjëherë ka pretenduar se vajza e tyre është rrëmbyer.
“Që në momentin e parë ai tha se Vanja është rrëmbyer dhe kur e pyeta pse mendonte ashtu, ai u përgjigj – nuk mund të jetë tjetër gjë”, tha Zorica Gjorçeva, nëna e Vanjës.
Megjithatë, përkundër kësaj, familjes nuk iu dorëzua asnjë kërkesë për para. Kjo shpejtësi e vrasjes ngre dyshime për qëllimet e vërteta të autorëve dhe planifikimin e krimit. Prokurorja Zhaklina Krstevska Josifovska prezantoi teorinë e prokurorisë, sipas së cilës fillimisht synohej të kërkohen para.
“Qëllimi ka qenë që të bëjnë dikë prej të afërmve që të japë para për lirimin e saj”, pohoi Zhaklina Krstevska Josifovska, prokurore.
Nëna e Vanjës theksoi se një natë para rrëmbimit, Aleksandri i ka dërguar sms porosi vajzës, me udhëzime se si të vishej për motin e ftohtë. Përveç kësaj, motra e Vanjës, Minja, njoftoi të atin se ajo do të shkonte vetëm në shkollë ditën e rrëmbimit, gjë që sipas prokurorisë ishte vendimtare për autorët.
Sipas prokurorisë, autorët kishin informacione të sakta se ku të lëviznin për të mos u regjistruar nga kamerat e sigurisë përreth, si dhe dinin saktësisht se si të hapnin me kaçavidë derën e hyrjes së objektit ku banonte Vanja. Dyshimet rreth vrasjes së shpejtë të Vanjës, pa kërkuar para, ngrenë shumë pikëpyetje në lidhje me motivet dhe rolin e vërtetë të të akuzuarve, dhe prokuroria ende duhet të sqarojë pse nuk u zbatua plani për kërkim të parave. Në seancë gjyqësore duhet të paraqiten edhe prova, për të cilat të akuzuarit thonë se nuk ekzistojnë. Sipas aktakuzës, Vanja u kidnapua më 27 nëntor 2023 nga hyrja e ndërtesës ku banonte përderisa shkonte në shkollë, por në vend që të kërkohen para për lirimin e saj, ajo u vra vetëm disa orë më vonë.
Burimi: TV21