Moska: Perëndimi bën çmos të përfshijë të gjithë evropianët në luftën ruso-ukrainase

Kreu i Dumës shtetërore ruse, Vyacheslav Volodin deklaroi se vendet perëndimore, veçanërisht SHBA-ja dhe aleatët e saj, po bëjnë çmos që në luftën e vazhdueshme Moskë-Kiev të përfshijnë jo vetëm ukrainasit, por të përfshijnë edhe të gjithë evropianët, transmeton Anadolu.

Përmes një postimi në Telegram, Volodin komentoi vendimin e Britanisë së Madhe të martën për t’i ofruar Ukrainës armë blindëshpuese që përmbajnë uranium të varfëruar, gjë që ai tha se çon në një “tragjedi” në nivel ndërkombëtar.

“Ky vendim çon në një tragjedi në shkallë globale, e cila do të prekë kryesisht shtetet evropiane”, tha Volodin.

Ai më tej theksoi se ky vendim më vonë mund të çojë në përdorimin e një “bombe të pistë” nga Ukraina, apo përdorimin e armëve taktike bërthamore.

“Nëse kjo ndodh, nuk do të ketë kthim prapa”, tha Volodin duke shtuar se :”Washingtoni dhe satelitët e tij (Londra, Brukseli, Varshava, etj.)” po bëjnë çmos që luftën në vazhdim ta bëjnë një luftë për të gjithë evropianët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se qëllimi i Britanisë për të furnizuar Ukrainën me municion të uraniumit të varfëruar konfirmon “qëllimin e Perëndimit kolektiv, të udhëhequr nga SHBA-ja dhe Britania, thjesht për të shkatërruar Ukrainën deri në fund”.

Gjatë një interviste për radio Sputnik, Zakharova tha se vendimi kishte për qëllim ta çonte situatën rreth Ukrainës në “një raund të ri agresioni, konflikti dhe konfrontimi, për t’i dhënë një dimension të ri cilësor”, duke pretenduar se njoftimi për furnizim me municion të uraniumit të varfëruar në mes të vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Moskë u bë “qëllimisht”.

“Në përgjithësi, përdorimi i municioneve të uraniumit të varfëruar është manifestim i gjenocidit kundër popullatës, kundër së cilës ato përdoren, dhe popullatës që i përdor ato”, tha Zakharova duke shtuar se përdorimi i tyre ka pasoja negative afatgjata për të gjithë në zonat ku përdoren ato.

Ambasada e Rusisë në Britani, vendimin e Londrës e përshkroi si “një hap plot me rreziqe të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit”.

“Furnizimet e armëve nga Britania për Kievin, veçanërisht të një natyre kaq të ndjeshme, do të çonin drejt një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës në perspektivën e zgjidhjes përmes negociatave të pranueshme reciprokisht. Ato bien ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e ambasadës të martën vonë.

Më tej thuhet se përdorimi i municioneve të uraniumit të varfëruar mund të çojë në rritje të sëmundjeve onkologjike dhe dëme mjedisore në zonat ku ato përdoren.

“Është e qartë se britanikët kanë bërë zgjedhjen për të shkaktuar dëme dhe shkatërrim maksimal për popullsinë e rajoneve të vijës së parë. Garancitë e bëra nga lidershipi i Britanisë për pretendimet e gatishmërisë së saj për të ndihmuar në ‘rehabilitimin e Ukrainës pas konfliktit’ janë veçanërisht cinike në këtë drejtim”, shtohet në deklaratë.

Gjithashtu pretendohet se sigurimi i një municioni të tillë ofron “prova të mëtejshme” se Ukraina, për Britaninë, nuk paraqet asgjë më shumë se një “poligon” në luftën e saj me Rusinë.





Story i mëparshëm

Shtëpia e Bardhë: Takimi Xi-Putin nuk dha shpresë se lufta do të përfundojë së shpejti

Story i radhës

Operacioni kundër trafikut të drogës në Tiranë/ Policia jep detaje: Goditen dy grupe kriminale. 20 të arrestuar, në kërkim 4 të tjerë

Të fundit nga