Mori vlerësimin më të ulët! Alban Nimani eliminohet nga “Dancing With the Stars”

min lexim

Alban Nimani kërceu sonte në “Dancing With the Stars” me këngën e tij, por që nuk i dha fatin që i duhet për t’i shpëtuar eliminimit.

Me një version të ri të këngës “Asgjë sikur dielli”, Albani u përpoq të ishte romantik krah Odetës në skenë, por me performancën e tij zhgënjeu jurinë, që i dha vetëm 9 pikë në total.

Performanca që vetë Albani e cilësoi më të dobëtën e natës, mesa duket nuk është votuar as nga publiku, duke e lënë artistin të fundit në garën e mbrëmjes.

Ai u përball me Irini Qirjakon, që ishte e parafundit në renditje dhe juria vendosi të shpëtojë këngëtaren e muzikës popullore.

Në natën e tretë të “Dancing With the Stars”, 11 konkurrentët kërcyen nën ritmet e këngëve fituese të “Top Fest”, ndër vite, duke na bërë të gjithëve nostalgjikë dhe duke dhuruar perfomanca të veçanta.

Pasi shkëlqeu javën e shkuar dhe fitoi zemrat e jurisë me sensualitetin e tij, Isli Islami surprizoi sërish këtë mbrëmje në një “Rumba” jo të lehtë. Nën krahët e balerinës profesioniste, Ledias, Isli performoi nën ritmin e këngës ikonike të Ponit, “Si trëndafil”. Megjithatë, nuk munguan kritikat nga juria e Dancing With the Stars. Nga 32 pikë që grumbulloi javën e kaluar, Isli dhe Ledia me kodin ‘Vip13’ këtë herë morën 27 pikë.

Në natën e dedikuar festivalit të muzikës moderne shqiptare, Julka ktheu në realitet ëndrrën e saj të fëmijërisë për t’u bërë balerinë. Julka dhe Silvester kërcyen një ‘jive’, nën ritmet e Xhensila Myrtezajt. Performanca ishte një kombinim mes baletit klasik, aerobisë dhe jive-t. Nga juria, që evidentoi disa gabime në hapat e saj, moderatorja grumbulloi 27 pikë.

Në një “Salsa” tepër energjike të ndërthurur me Hip-Hop, Megi Pojani arriti të zotërojë skenën e Dancing With the Stars. Nën ritmet e forta të këngës “Vetëm ti je” të Noizyt dhe Elgit Dodës, Megi fitoi zemrat e jurisë sonte, të cilët e duartrokitën dhe e komplimentuan për performancën. Ndryshimi i Megit u reflektua edhe në pikët e jurisë. Nga 25 që grumbulluan javën e shkuar, këtë herë ata morën 27 pikë.

Në vitin 2015, Ledri Vula me këngën “Shko”, ngriti trofeun e “Top Fest”, ndërsa sot me këtë këngë partnerja e tij, Sara Hoxha dhuroi një performancë që emocionoi publikun, por (me siguri) më shumë se këdo, vetë Ledrin. Sara ishte e frymëzuar dyfish për tangon që solli bashkë me Luixhinon në natën e tretë të “Dancing With the Stars”, nga kënga dhe nga këngëtari. Padjeshkat dhe hapat e tjerë u vlerësuan më shumë se çdo herë nga juria, që i dha 28 pikë.

Irini Qirjako performoi sonte në skenën e Dancing With the Stars me një “Salsa” jo të lehtë. Edhe pse zhvillimi i hapave ishte i arrirë, madje Iirni realizoi edhe një padjeshkë, performanca u prit me kritika nga juria, të cilët thanë se presin më shumë javën e ardhshme. Irini dhe Eltioni morën nga juria 18 pikë.

Elona Duro u fut në rol për të kërcyer një baladë të Ermal Fejzullahut, këngë me të cilën artisti ka triumfuar vite më parë në “Top Fest”. Ajo duhet të dukej e lënduar, pasi në fund partneri i saj vdes. Megjithatë, sikurse juria tha, moderatorja ra në grackën e këngës së trishtë, pasi dhe disa hapa i pati ‘të plogështuar’. Në përfundim të komenteve, juria i dha 25 pikë Elonës dhe Anxhelos.

E kishit menduar se kënga e Bleros dhe Shpat Kasapit, “Falma” mund të kërcehej me një tango? Madje, Deborah Keci dhe Niko e sollën plot pasion në skenën e “Dancing With the Stars”. Me hapa ritmikë dhe sensualë, Deborah dhuroi një kërcim ndryshe nga dy netët e kaluara. Juria i dha 27 pikë çiftit.

Alban Nimani kërceu këtë mbrëmje në “DWTS” nën ritmet e këngës së tij. Me një version të ri të këngës “Asgjë sikur dielli”, Albani u përpoq të ishte romantik krah Odetës në skenë, por me performancën e tij zhgënjeu jurinë. Për performancën që vetë Albani e cilësoi më të dobëtën e natës, juria dha 9 pikë.

Me këngën që fitoi “Top Fest 9”, “S’je më”, Elhaida Dani dhuroi emocione në një kërcim kontemporan, me të cilin mori 32 pikë dhe shumë komente pozitive.

Me këngën fituese të Top Fest “Vetëm ty” të Alban Skënderajt, Salsano Rapi performoi një vals, zhaner të cilin ia mësuar i ati i ndjerë. Nën krahët e balerinës profesioniste, Salsano arriti të mbizotërojë skenën dhe të fitojë edhe njëherë simpatinë e jurisë, e cila i dha 32 pikë.

Gent Hazizi i shpëtoi eliminimit natën e kaluar, pasi në fund fitoi garën me Ilir Dushkajn. Këtë herë, ai mblodhi forcat dhe grumbulloi 24 pikë nga juria. Aktori mori vlerësime pozitive me Bachata-n që kërceu nën ritmet e një kënge shqiptare, ashtu sikurse ai, por as publiku, nuk e kishte imagjinuar.

Nën këngën ritmike të Anjeza Brankës që rrëmbeu çmimin e Top Fest shumë vite më parë, Arbër Çepani rrëmbeu sot zemrat e jurisë me një Samba. Në skenë, ai arriti të përcjellë një atmosferë si të ishte duke performuar në ndonjë plazh në Cuba dhe grumbulloi 32 pikë nga juria e Dancing.

Ardit Çuni solli artin e Dr.Florti në skenën e “Dancing With the Stars” në formën më të veçantë, nëpërmjet një quick step-i. Kërcimin e nisi me një sparkatë që më pas u komentua gjatë nga juria dhe konkurrentët e tjerë, për ta vazhduar me hapa të shpejtë dhe të saktë, siç i vlerësuan anëtarët e jurisë, që në fund i dhanë 32 pikë në total.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjykata pezullon planin e Presidentit Biden për anullimin e borxheve studentore

Story i radhës

Vdekja e Lear Kurtit/ Përfundon protesta e qytetarëve, çfarë ndodhi gjatë një ore në shesh

Të fundit nga