Skena të ngjashme me filmat duket se po ndodhin shumë shpesh në realitet.
Një 37-vjeçare në Tiranë është arrestuar nga policia gjatë operacionit “Account” , pasi përdorte të dhënat e një shtetaseje tjetër, për të hapur llogari false në rrjetet sociale.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik të DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja M. K., se një person i paidentifikuar hapte llogari në rrjetet sociale, me të dhënat dhe fotot e saj personale dhe të fëmijës së saj të mitur, si dhe shkruante statuse ofenduese dhe kërcënuese ndaj saj, në mënyrë të vazhdueshme, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Account” u ndalua, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, shtetasja: – A. K., 37 vjeçe, banues në Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se kjo shtetase ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme, gjeneralitetet dhe fotot e shtetases M. K. dhe të fëmijës së saj të mitur, për të hapur llogari false në rrjetet sociale, në të cilat shkruante statuse ofenduese dhe kërcënuese ndaj shtetases M. K”, njofton policia.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.