Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur për raportet mes PL-së dhe Partisë Demokratike, duke theksuar se marrëdhëniet janë të mira dhe normale, pavarësisht se secila forcë politike ka axhendën e vet.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi u shpreh se sfida e përbashkët e opozitës janë zgjedhjet lokale.
“Atë që unë shikoj dhe ndjej mendoj se marrëdhëniet janë normale dhe të mira. Secila parti ka axhendën e saj. Mendoj se marrëdhënia mes dy partive ka të bëjë me zgjedhjet lokale, sepse ajo është sfida e përbashkët”, theksoi ndër të tjera Monika Kryemadhi.
Ndërsa e pyetur se a duhet që PD dhe PL të dalin me një kandidat të përbashkët, Kryemadhi u shpreh se nëse opozita nuk është e kapur nga Rama, atëherë duhet të dalë me një kandidat pavarësisht se kujt force politike i përket.
“Mendoj se opozita nëse nuk është e kapur nga shteti mafioz i Edi Ramës duhet të dalë me një kandidat të përbashkët. Ne si PL jemi të fokusuar tek këshillat bashkiakë. Çdo vonese i shërben Ramës. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët kërkojnë një opozitë të vërtetë.
Zgjedhjet e25 prillit dëmtuan një opozitë të vërtetë. Tashmë është momenti për ta unifikuar qëndrimin. A do të jenë me primare apo pa primare, nuk ka rëndësi. Për mua duhet të jetë një kandidat i vetëm përballë kandidat të rilindjes. Çdo minutë që ne vonohemi i shërben autokracisë së Edi Ramës”, u shpreh deputetja e PL.