Mjekja: Rusët torturonin të burgosurit ukrainas, shpesh deri në vdekje

September 15, 2022
min lexim

Një mjeke vullnetare ukrainase, e kapur nga forcat ruse gjatë rrethimit të përgjakshëm të qytetit port të Mariupolit, u shpjegoi ligjvënësve amerikanë të enjten se si rusët e kishin torturuar vazhdimisht atë dhe të tjerë, duke vrarë shumë të burgosur. Ky është rrëfimi më i detajuar që ajo ka dhënë publik mbi muajt e saj në robëri.

Yuliia Paievska, e arrestuar në Mariupol në mars dhe e mbajtur nga forcat ruse dhe pro-ruse për tre muaj, foli para ligjvënësve të Komisionit të Helsinkit, një agjenci qeveritare e krijuar pjesërisht për të mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar.

E njohur nga ukrainasit me pseudonimin Taira, zonja Paievska u bë një figurë e njohur në vendin e saj. Kujdesi i saj për të plagosurit gjatë luftës Rusi-Ukrainë mori vëmendjen globale pasi pamjet e regjistruara nga kamera në trupin e saj iu dorëzuan agjencisë së lajmeve Associated Press.

Para komisionit ajo tha se një rus e kishte pyetur ndërsa e torturonte“A e di pse po e bëjmë këtë?” dhe ajo i ishte përgjigjur sikurse tha:“Sepse mundesh”.

Një djalë 7-vjeçar vdiq në prehrin e saj sepse ajo nuk kishte asnjë nga pajisjet mjekësore që i nevojiteshin për ta trajtuar.

Rusët i detyronin të burgosurit ukrainas të zhvisheshin përpara tyre e pastaj i torturonin, tha ajo. Para se të vdisnin, për javë të tëra të burgosurit bërtisnin nga dhimbjet.

“Në këtë mundim prej ferri, e vetmja gjë që ata ndjenin para vdekjes ishte abuzimi dhe dhimbjet shtesë”, tha ajo.

Zonja Paievska ishte një nga mijëra ukrainasit që besohet se janë kapur rob nga forcat ruse. Kryetari i bashkisë së Mariupolit tha se 10,000 njerëz nga qyteti i tij u zhdukën gjatë rrethimit disa mujor rus. Qyteti ra në duart e rusëve në prill, pas shkatërrimit nga bombardimet ruse dhe një numri të madh viktimash.

Konventa e Gjenevës veçon mjekët, si ata ushtarakë ashtu edhe civilë, si një grup që duhet mbrojtur “në të gjitha rrethanat”. Senatori Ben Cardin, një demokrat nga Merilendi dhe bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, theksoi se kushtet që ajo përshkroi për të burgosurit civilë dhe ushtarakë shkelin ligjin ndërkombëtar. Ligjvënësi republikan nga Karolina e Jugut, Joe Wilson e quajti presidentin rus Vladimir Putin një kriminel lufte.

Para se të kapej, doktoresha Paievska kishte regjistruar më shumë se 256 gigabajt pamje tronditëse me kamerën e instaluar në trupin e saj, ku mund të shihen përpjekjet e ekipit të saj për të shpëtuar të plagosurit në qytetin e rrethuar. Ajo ia dha filmimet gazetarëve të agjencisë së lajmeve Associated Press, ekipit të fundit ndërkombëtar të gazetarëve në Mariupol.

Gazetarët u larguan nga qyteti më 15 mars me kartën e futur brenda një tamponi, për ta kaluar atë nëpër 15 postblloqe ruse. Një ditë më vonë, zonja Paievska u kap nga forcat pro-ruse.

Ajo u lirua më 17 qershor, pasi kishte kaluar tre muaj në robëri, e dobët, e dëshpëruar, pasi kishte humbur mbi 10 kilogramë nga mungesa e ushqimit. Ajo tha se raporti i agjencisës së lajmeve Associated Press që tregonte se si ajo kujdesej për ushtarët rusë dhe ukrainas, dhe për civilët në Mariupol, ishte jetik për lirimin e saj.

Zonja Paievska më parë kishte refuzuar të fliste me gazetarët për kushtet në paraburgim, duke e përshkruar atë gjerësisht si ferr. Ndërsa dëshmonte ngadalë në anglisht dhe në gjuhën ukrainase në disa raste ajo mezi i mbante emocionet.

“Është shumë e rëndë të flasësh për atë që ndodhi atje”, tha ajo./VOA

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ngecja e procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, një fiasko e rënd diplomatike e MPJD dhe e qeverisë “Kurti-2”..!?

Story i radhës

Korenica: I pësuam golat nga një pakujdesi e jona

Të fundit nga

ShkoLartë