Mjekët ia dolën të kuronin përmes një trajtimi të ri HIV/AIDS, i cili i ishte paraqitur një gruaje në Denver, SHBA. Ajo u bë personi i tretë në botë që është shëruar nga kjo sëmundje deri më tani.
Ekspertët kanë përdorur një metodë të re të transplantimit të gjakut të kordonit kërthizor, duke hapur rrugën për shërimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme racore. Gjegjësisht, gjaku i kordonit kërthizor është shumë më i qasshëm se qelizat staminale që përdoren zakonisht në transplantimin e palcës kockore dhe nuk duhet t’i përshtatet marrësit në aq shumë nivele.
Shumica e dhuruesve të qelizave staminale janë të bardhë dhe shumë të sëmurë me HIV të racave të tjera nuk përputheshin me donatorët, shkruan newyorktimes.
Gruaja në fjalë, e cila gjithashtu vuante nga leucemia, mori gjakun e kordonit të kërthizës për të trajtuar kancerin. Ajo kishte një donator pjesërisht të përputhur, në vend të praktikës tipike të gjetjes së një donatori të palcës kockore të një race dhe etnie të ngjashme. Ajo gjithashtu mori gjak nga një i afërm i saj për t’i dhënë trupit të saj mbrojtje të përkohshme imune gjatë transplantimit.
Shkencëtarët besojnë se infeksioni HIV përparon ndryshe tek femrat sesa tek meshkujt. Megjithëse gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e rasteve të HIV-it në botë, ato përbëjnë vetëm 11 për qind të pjesëmarrësve në provat e procesit të trajtimit.
Ilaçet antiretrovirale mund të kontrollojnë HIV-in, por nuk çojnë në një kurë të plotë. Sot, pothuajse 38 milionë njerëz në botë vuajnë nga kjo sëmundje dhe rreth 73 për qind e tyre marrin mjekim.
Transplantimi i palcës së eshtrave nuk është një opsion realist për shumicën e pacientëve. Transplantet e tilla janë shumë invazive dhe të rrezikshme, kështu që ato zakonisht ofrohen vetëm për pacientët me kancer që kanë ezauruar të gjitha mundësitë e tjera.
Deri më tani në botë njihen vetëm dy raste të shërimit të plotë të HIV-it. “Pacienti nga Berlini”, Timothy Ray Brown, ishte pa viruse për 12 vjet, derisa vdiq nga kanceri në vitin 2020. Në vitin 2019 u publikua një rast i ri i tillë dhe Adam Castillejo u shërua.
Të dy morën palcën e eshtrave nga donatorët që kishin një mutacion që bllokon HIV-in. Ky mutacion është i pranishëm tek vetëm 20 mijë donatorë, shumica e të cilëve janë me origjinë nga Evropa Veriore.
Megjithëse transplantet e palcës së eshtrave tek këta burra ishin të suksesshme, ata e patën të vështirë rikuperimin nga procedura dhe patën efekte të ndryshme anësore. Brown pothuajse vdiq pas transplantimit dhe Castillejo humbi gati 70 kilogramë, humbi dëgjimin dhe pati infeksione të shumta brenda një viti nga trajtimi.
Në të kundërt, gruaja në rastin e fundit u largua nga spitali 17 ditë pas transplantimit dhe nuk zhvilloi një sëmundje në të cilën qelizat e donatorëve sulmojnë qelizat pritëse. Pacienti është i moshës së mesme dhe u diagnostikua me HIV në qershor të vitit 2013. Ilaçet antiretrovirale mbajtën nivelet e virusit të ulëta. Në mars 2017, ajo u diagnostikua me leuçemi mieloide akute.
Pacienti vendosi të ndërpresë terapinë antiretrovirale 37 muaj pas transplantimit. Më shumë se 14 muaj më vonë, ajo rezultoi negative për treguesit e HIV.