Vahide Mehmeti tash e 6 muaj nga mjekët në Klinikën e Ortopedisë pranë QKUK-së, po kërkon dokumentin me tri nënshkrime për trajtim jashtë vendit për vajzën e saj 12 vjeçare, Erina Mehmeti e cila ka diagnoza të shumta, por skolioza është ajo që e ka rënduar më së shumti gjendjen e saj shëndetësore. E këto tri nënshkrime Mehmeti ende nuk ka arritur t’i siguroj.
E me qëllim që të përmirësohet gjendja shëndetësore e Erinës ajo duhet t’i nënshtrohet edhe një operimi të radhës për zgjerim të shufrës në anën e konkave të lakesës skolitoike, i cili kushton 6 mijë euro dhe bëhet në Turqi.
Edhe sot ndonëse ftohtë nga Plemetini i Obiliqit, Vahide Mehmeti bashkë me vajzën e saj që mezi ecte morën rrugën për në Klinikën e Ortopedisë por përsëri nuk mori shërbimin që po kërkon.
Mehmeti thotë se tash e 6 muaj mjekët e kësaj Klinike nuk po ia ofrojnë këtë dokument.
Ajo për KosovaPress tregon se ortopedët në QKUK po kërkojnë raport të detajuar për ndërhyrjen që do ta ketë 12 vjeçare, përfshirë edhe mjetet që do të përdoren.
“Problemi dhe shqetësimi jonë kryesor është që 6 muaj jam duke e pritur një raport jashtë vendit. Vajza është e bërë operacion prej skoliozës, ja ta ofrojmë sot, ja hajde nesër, që gjashtë muaj jam tu ardhur në këtë spital dhe në fund nuk është bërë raporti. As nuk po dëshiron të merret me dokumente të mëhershme, as nuk po dëshiron ta shikojë vajzën doktori dhe i thash, nëse nuk i beson mjekëve tjerë, dojsha me zhvesh vajzën dhe me ja pa shpinën por tha s’ka nevojë, ndërsa dokumentet nuk po na lëshon, po i kërkon prej Turqisë me ja sjell ata gjitha dokumentet saktësisht prej A deri në Zh si bëhet operacioni dhe si përfundohet. Ashtu nuk po ma shkruajnë doktorët turk, po thonë ne nuk e kemi ndërmend me ju dhënë shkollë atij, ai është doktor dhe duhet t’i dijë këto punë se çfarë duhet bërë me vajzë”, tha Mehmeti.
Mes lotësh nëna Vahide tregon se vajza e saj ka kryer edhe intervenime të tjera që i janë dashur pasi 12 vjeçarja ka telashe me të pamur, dëgjim dhe të folur.
Ajo thotë se Erinës aktualisht ka filluar përsëri t’i lakohet shpina prandaj e ka të nevojshëm edhe një intervenim, pasi dy operimet e kaluara kanë pas sukses.
Mehmeti: Vajza ime ka bërë 6 intervenime, tash ka nevojë për operacionin për zgjatje dhe drejtim të shtyllës kurrizore
“Mu po më duhen dokumentet që hallku t’i dërgojë në ministri dhe ta paguajë ministria trajtimin jashtë vendit, mjekimin e vajzës. Edhe një intervenim kemi me bë. Tash vajza e ka gjithë shpinën me shipka, prej qafës deri në fund, tash vetëm duhet të ja bëjnë zgjatjen dhe ta drejtojnë pak, sepse vajza duke u rritur po ja nis prapë skolioza po lakohet. Dy intervenime i ka pas në skoliozë, në kuka tre herë, dy sytë i ka të bërë operacion dy herë, ka intervenime në shputa të këmbëve, në gilëz të këmbës. Sytë i ka operuar në Kosovë dhe nuk ka pas shërim, është dashtë me dërgua në Spitalin Amerikan, e kam dërgua në Shqipëri dhe në Turqi është bërë operacion për shpin, e kuka. Këtu njëherë doktor Ceni ja ka bërë kukën operacion dhe ka shku me sukses, doktor Davudi ja ka bërë këmbën, shputën e këmbës sepse i ka pasur këmbët e lakuara dhe ajo ka shku mirë, që jam falënderuese ndaj atyre që kanë punuar me vajzën time, por tash jam shumë e dëshpëruar”, thotë Mehmeti.
Vahide Mehmeti u shpreh se kërkesa e saj për këto tri nënshkrime ka shkuar edhe në Drejtorinë e ShSKUK-së, prej ku edhe nga vetë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica kishte marr premtimin se letra me tri nënshkrime do t’i dorëzohet.
Por, që ende kjo nënë nuk e ka marrë këtë dokument.
Nëna e Erina Mehmetit thotë se ka 12 vite që lufton që vajza e saj të ngrihet në këmbë dhe nuk do të ndalet derisa të arrij t’i marr edhe këto nënshkrime.
“Kam biseduar me doktor Ganin, jam shku edhe në drejtori jam lajmëruar. Prej drejtorisë e ka thirr doktor Ganin sepse është drejtor i këtyre doktorëve tjerë, tha le të vjen sepse ja kemi bërë dokumentin, kur erdha s’ka kurrfarë dokumenti, veç duke luajtur me mua, tu bo hajgare, hajt se asgjë, ta heqim qafe. Tash është Xhavit Gashi, ai nuk e di, unë kurrfarë problemi nuk e kam me atë, çfarë problemi ka ai me mu apo vajzën time nuk e di, ai nuk po na lëshon dokumentin. Është vajza jote më shumë diagnoza dhe shkurt e shqip me lënë kështu. Jo, unë deri sot që 12 vite kam luftuar me ngrit në këmbë vajzën, dhe shyqyr që u ngrit dhe me ndal nuk e kam ndërmend”, tha ajo.
E thirrja e vetme e kësaj nëne të dëshpëruara nga sistemi shëndetësor në vend është lëshimi i raportit me tri nënshkrime të mjekëve të Klinikës së Ortopedisë për mjekim jashtë vendit.
Vahidja shprehet se ky intervenim i cili nuk bëhet në Kosovë ka kosto 6 mijë euro.
“Unë veç drejtësi po du. Tri nënshkrimet po më duhen veç me dërgu at letër në ministri, asgjë më shumë.. Gjashtë mijë euro është intervenimi por po kemi harxhime edhe në Turqi, sepse duhet paguar hoteli, ushqimi, udhëtimi, viza e të gjitha”, u shpreh ai.
Se mjekët në Klinikën e Ortopedisë po kërkojnë dokumente shtesë dhe ende nuk ia kanë dhënë këto tri nënshkrime e konfirmon edhe drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica i cili tha se edhe kësaj radhe do t’ia japin këto nënshkrime siç kanë vepruar edhe dy herët e kaluara.
Jashanica thotë se për këtë çështje do ta diskutojnë edhe nesër.
“Fëmija ka qenë jashtë është operuar edhe tani ia japim por po i ngutet po na bëjnë presion palët, po na bëni presion ju, po na bënë presion drejtoria…. doktori që merret me kirurgji spinale ka kërkuar dokumente shtesë po i duhen se çfarë intervenimi ka me krye me çfarë mjete a kemi këtu apo nuk kemi që me shikua ata nuk ia dërgojmë do t’ia bëjmë disi unë besoj nesër duhet me i konsultu edhe tjerët dhe besoj ia japim si e ka marr që dy herë do ta marr edhe këtë herë“, u shpreh Jashanica.