Katër infermierë janë pushuar nga puna, pas një videoje virale në TikTok, ku talleshin me pacientët.
Infermieret u bënë pjesë e trendit të TikTok ku njerëzit listojnë “icks” për persona apo çështje të caktuara.
Ick – është një fjalë që qarkullon së fundmi në TikTok dhe përdoret kur dikush bën diçka që ta shpif, të jep neveri dhe të duket e bezdisshme.
Në klip, vajzat përmendin disa situata si:
“Kur pacienti sapo është shtruar në spital dhe do direkt të bëjë një dush ose të hajë diçka”; “Kur më pyesin sa peshon bebi, ndërkohë që bebi është ende në duart e tyre”; “Kur baballarët kërkojnë test atësie direkt sa ka lindur bebi”; “Kur nënat refuzojnë ilaçet kundër dhimbjeve”; “Kur familjarët e pacientëve pyesin çdo sekondë ose duan të hyjnë në dhomë”, etj.
Sipas NBC News, spitali ku punonin infermieret, Emory Healthcare në Atlanta, e dënoi videon virale si “mosrespektuese dhe joprofesionale”, duke shtuar se ajo nuk “përfaqëson angazhimin e tyre ndaj kujdesit të përqendruar te familja”.
“Ne kemi hetuar situatën dhe kemi marrë veprimet e duhura me ish-punonjëse përgjegjës për videon”, tha spitali në një postim në Instagram pas shkarkimit të infermiereve.
Videoja origjinale u shikua mbi 100,000 herë përpara se të fshihej nga TikTok. Njerëzit menjëherë filluan të kritikojnë infermieret për komentet fyese.
Dikush shkroi:
“Si dikush që sapo ka lindur një fëmijë, kjo video më bëri të ndihem kaq konfuze dhe e pasigurt. Mendova se të pyesësh është normale.”
Një tjetër u shpreh:
“Pra, juve jua shpif të bëni punën tuaj?!”