Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka denoncuar në një deklaratë për mediat se KESH po shet energjinë elektrike më lirë se vlera e tregut.
Ai u shpreh se KESH ka vendosur të shesë për datat 19-23 Dhjetor energjinë elektrike 2.5 herë më pak se vlera reale. Blushi theksoi se fokusi i qeverisë së Edi Ramës nuk janë familjet në nevojë por aferat korruptive me energjinë.
“Në kulmin e krizës energjetike dhe kur qytetarë shqiptarë pritet të faturohen më shtrenjtë për konsumin e energjisë. KESH ka vendosur të shesë energjinë elektrike më lirë se tregu. 16-18 Dhjetor KESH ka shitur energjinë 2.7 herë më lirë se tregu.
2.7 herë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit, fondet që mund të ishin të përdorur për subvencionimin e familjeve në nevojë. KESH ka vendosur që edhe për datat 19-23 Dhjetor të shesë energjinë elektrike 2.5 herë më pak se çmimi i tregut. Fokusi i qeverisë së Edi Ramës nuk janë familjet në nevojë por aferat korruptive me energjinë”, deklaroi ai.
Deklarata e plotë
Në kulmin e krizës energjetike dhe kur qytetarët shqiptarë pritet të faturohen më shtrenjtë se kurdoherë tjetër për konsumin e energjisë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, nëpërmjet një vendimi tërësisht abuziv ka vendosur të shesë energjinë elektrike shumë herë më lirë se sa tregu.
Konkretisht, për periudhën 16 dhjetor – 18 dhjetor 2022, KESH ka vendosur të shesë energjisë me 115 Euro/MËh, ndërkohë që në bursë çmimi i tregtuar është 318 Euro/MWh dhe 325 Euro/MWh.
Pra praktikisht energjia elektrike po shitet nga KESH 2.7 herë më lirë se tregu, çka do të thotë 2.7 herë më pak të ardhura në Buxhetin e Shtetit, fonde të cilat mund të ishin përdorur për subvencionimin e familjeve në nevojë që nuk kanë mundësi të ngrohen në dimër ose të përballojnë çmimin e lartë mbi 800 kë në muaj.
Skandali nuk mbaron me kaq.
KESH ka vendosur gjithashtu që edhe për datat 19 dhjetor 2022 deri në 23 dhjetor 2022 të shesë energjinë elektrike me çmim 167 euro/mwh kur çmimi i tregut pritet të jetë 2.5 herë më shtrenjtë se sa e shet KESH.
Ky skandal dhe abuzim me të mirën publike tregon edhe njëherë se fokusi i Qeverisë nuk janë familjet në nevojë dhe as shtimi i fondeve në Buxhetin e Shtetit por aferat korruptive me energjinë, pasojat e të cilëve po i vuajnë më shumë se kurrë qytetarët shqiptarë, 37% e të cilëve sipas të dhënave të bëra publike më herët nga Komuniteti i Energjisë së Europës, nuk kanë mundësi financiare të ngrohin dot banesat e tyre gjatë dimrit.
Në kushtet kur 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak ose deri në 5.5 dollarë/ditë, i bëjmë thirrje Qeverisë të ndalojë shitjen e energjisë elektrike nën kosto, këtë pasuri të përbashkët publike, si dhe të rishikojë urgjentisht politikat e subvencionimit për energjinë për kategoritë më në nevojë, veçanërisht për familjet me ndihmë ekonomike dhe për pensionistët, të cilëve Qeveria u ka trefishuar edhe çmimin e lëndëve drusore për ngrohje.
Praktikat korruptive të KESH, së bashku me koncensionet dhe PPP-të po e mbysin ekonominë, duke rënduar ndjeshëm Buxhetin e Shtetit, rritur në mënyrë katastrofike borxhin publik dhe praktikisht duket falimentuar Shqipërinë dhe buxhetet familjare.
Është kjo arsyeja pse së fundmi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ngriti alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.
Sikundër evidenton edhe FMN këto kontrata, që zënë gati 40 për qind të PBB-së për vitin 2022, nuk do të mund të kontrollohen, ç’ka praktikisht nënkupton një gropë ku priten të zhduken qindra e qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.
Prandaj Shqipëria është sot vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsum.
Në kushtet e rritjes abuzive të çmimeve të naftës, produkteve të shportës dhe çdo shërbimi, është vertet kriminale rëndimi i buxhetet familjare për shkak të grabitjes së “Rilindjes”.
Mjaft i zhvatët shqiptarët dhe paratë, që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat sekretë.