Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, theksoi se Greqia është e gatshme të mbështesë Maqedoninë e Veriut në këto momente të vështira dhe mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e lidhjeve, njofton zyra e Mitsotakis.
Sipas të njëjtave informacione, të dy liderët konfirmuan vullnetin e tyre për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe theksi u vu në krizën energjetike.
“Dy liderët diskutuan perspektivat e bashkëpunimit në shumë nivele në fushën e energjisë, veçanërisht në infrastrukturë, si dhe nevojën për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e lidhjeve. Kryeministri theksoi se Greqia mund të kontribuojë në këtë drejtim për shkak të infrastrukturave që po zhvillohen në hartën energjetike dhe pozicionit të saj në favor të sigurisë energjetike të rajonit, duke theksuar në këtë mënyrë rolin lider në Evropën Juglindore’, njofton zyra për informim e kryeministrit grek.
Gjithashtu, Mitsotakis uroi Kovaçevskin për mbledhjen e fundit të Konferencës së parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe konfirmoi mbështetjen e Greqisë për rrugën hyrëse të vendit “bazuar në kriteret e përcaktuara, respektimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të Prespës.
Në fillim të takimit, Mitsotakis theksoi se sot kanë shumë gjëra për të diskutuar, ai ritheksoi mbështetjen greke për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por edhe për krizën energjetike.
“Dua të përsëris se Greqia është e gatshme të mbështesë Maqedoninë e Veriut në këto kohë të vështira. Dhe besoj se është në interesin tonë të ndërsjellë që të bëjmë investime nga kompanitë greke në Maqedoninë e Veriut për të lidhur infrastrukturat tona në atë mënyrë që të çojë në rritjen e lidhjeve energjetike mes vendeve tona”, tha kryeministri grek në dialogu në fillim të takimit me Kovaçevskin.
Kryeministri Kovaçevski tha se “jemi shumë të përgatitur për dimër, por lidhjet e ngushta me Greqinë janë me interes të veçantë për ne, veçanërisht në furnizimin e materialeve, prodhimin e energjisë elektrike në mënyrë që ata të vazhdojnë të punojnë edhe në dimër por edhe pas kalimit të krizës energjetike”.