Selim Duraku ishte arrestuar në Gjilan dhe Gjykata e Prishtinës e kishte vonuar shkresën dy ditë që ta dërgonte në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit.
Duraku më 9.6.2022, pra dy ditë pasi kishte aktvendim të dilte në arresti shtëpiak, kishte dalë nga Qendra e Paraburgimit i sëmurë dhe nuk ishte dërguar në shtëpi por në Spitalin e Gjilanit e më pas në QKUK, në Prishtinë.
Ai ka vdekur më 12.6.2022 në QKUK.
Duraku ishte arrestuar për dyshimet se ka sulmuar seksualisht një të mitur. Hetimi për sulmin seksual të një 14-vjeçareje do mbetet i pazbardhur kurrë pasi që i dyshuari për këtë sulm ka vdekur. E po ashtu edhe pretendimet e vajzës 14-vjeçare nuk do zbardhen kurrë.
Arsyeja pse ka ndodhur kjo vonesë ende nuk dihen.
Sipas përgjigjes së Gjykatës së Prishtinës ata ende janë duke u marrë me shkaktarin e kësaj vonese.
Remzije Duraku, bashkëshortja e Selim Durakut, thekson se e kanë pritur lirimin e tij më 07.06.2022 por nuk e kanë liruar.
“Avokati na tregoi se e kanë liruar dhe nesër vjen në shtëpi, e pritëm dy ditë, kur na lajmëruan se është i sëmurë, e kanë dërguar në spital edhe aty ka vdekur. Nuk ka ardhë më i gjallë në shtëpi, e në spital ka vdekur pas 3 dite që është shtri aty” – thotë Duraku.
Si ndodhi që 70-vjeçari të këtë aktgjykim për lirim nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan më 7 qershor por të dalë nga aty vetëm më 9 qershor pasi iu kishte keqësuar gjendja dhe ishte dërguar në QKUK këtë nuk po e di as avokati i 70-vjeçarit, Jeton Ibrahimi.
“Më datën 7 qershor jemi njoftuar nga Gjykata se e kanë liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe ende nuk e dimë arsyet pse ka ndodhur kjo vonesë. Jam interesuar në Burgun e Gjilanit, më kanë thanë se nuk ka ardhur shkresa nga Gjykata e Prishtinës. Lirimi i tij ka ndodhur vetëm kur iu ka keqësuar shumë gjendja dhe është dashur ta dërgojnë në spital për trajtim” – theksoi Ibrahimi.
Qendra e Paraburgimit në Gjilan nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se shkresa e Gjykatës ka mbërri me vonesë në Qendrën e Paraburgimit. Pra dy ditë pasi ishte nxjerrë në Gjykatë.
“Ju informojmë se Qendra e Paraburgimit Gjilan, Aktvendimin për ndërprerjen e paraburgimit të të burgosurit në fjalë e ka pranuar me datën 09.06.2022 dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Aktvendimi, dhe po të njëjtën datë 09.06.2022, i burgosuri është liruar. Për datën e nxjerrjes se këtij Aktvendimi, ju lutem informacionet mund ti kërkoni nga gjykata kompetente” – thuhet në përgjigjen e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Pse ndodhi vonesa që aktvendimi nuk kishte arritur me kohë në Qendrën e Paraburgimit nga gjykatat kemi kërkuar të marrim përgjigje nga Drejtoria e Shërbimit Korrektues të Kosovës. As ata ende nuk e dinë se pse është vonuar vendimi nga Gjykata në Qendrën e Paraburgimit.
Në Gjykatën e Prishtinës nuk kanë pranuar të flasin duke dërguar vetëm një përgjigje me shkrim, ku thuhet se janë duke e shikuar se ku ka ndodhur gabimi teknik.
“Nga gjyqtari i çështjes jemi njoftuar se e ka lëshuar dhe proceduar vendimin në mënyrë të rregullt në shërbimin e ekspedimit të vendimeve dhe nuk ka qenë në dijeni që nuk është zbatuar vendimi. Me të kuptuar se i pandehuri është dërguar në Spital për trajtim mjekësor, gjyqtari menjëherë ka lëshuar urdhër që zbatimi i masës së arrestit shtëpiak të bëhet në QKUK për shkak të gjendjes së të pandehurit. Ndërsa, ne jemi ende në trajtim e tutje që të gjejmë se ku ka ndodhur lëshimi teknik me rastin e ekspedimit të vendimit në fjalë” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës për emisionin “Kallxo Përnime”.
Gjykata e Prishtinës e kishte lëshuar edhe një vendim më 9 qershor, në të cilin gjyqtari Adnan Isufi kishte lëshuar urdhër që zbatimi i masës së arrestit shtëpiak të bëhet në QKUK për shkak të gjendjes së të pandehurit, pra edhe pse kishte një vendim për arrest shtëpiak gjyqtari përsëri lëshon vendim tjetër që masa e arrestit të zbatohet në QKUK të Prishtinës por jo në shtëpinë e të pandehurit.
Institucioni i Avokatit të Popullit, nga viti 2016 ka një mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës. Drejtoresha e këtij institucioni, Shqipe Ibraj Mala, tregon se vizitojnë qendrat e ndalimit ku ka persona të privuar nga liria. Sipas saj, vonesa nuk do duhej të ketë me minuta e lëre më vendimi të vonohet dy ditë.
“Jo, vonesa nuk guxon me pasë as me minuta e lëre më të vonohet me ditë. Tash shumë gjyqtarë e caktojnë edhe kohën e lirimit që mos me pasë asnjë vonesë”– theksoi Ibraj Mala.
Avokati dhe familjarët e 70-vjeçarit fajin për vdekjen e tij ia hedhin shtetit.
Ata po pretendojnë se sikur shteti të lironte me kohë ashtu qysh edhe kishte vendim i ndjeri ende do ishte në jetë sepse ai ka përdorur një numër të madh të barnave dhe dyshojnë se gjendja iu ka përkeqësuar që nuk i ka përdorur me kohë.
Edhe arrestimi i 70-vjeçarit ishte bërë me shumë parregullsi.
Sipas familjarëve, Policia e Kosovës nuk ka treguar se po e merr për ta intervistuar.
Policia në Gjilan po arsyetohet se nuk e ka lajmëruar familjen pasi ata vetëm e kanë lokalizuar për llogari të kolegëve të stacionit jugu në Prishtinë, ndërsa Policia e Prishtinës po pretendon se i arrestuari nuk ka bashkëpunuar dhe ka refuzuar të japë kontaktet e familjes së tij.
Po ashtu, sipas policisë në Prishtinë, i dyshuari kishte refuzuar të ketë avokat.
Gati 24 orë pas arrestimit familjarët edhe pse e kishin kërkuar në Polici e spital, marrin vesh se ku është familjari i tyre.
Remzije Duraku, bashkëshortja e të dyshuarit pretendon se e ka kërkuar në Polici dhe në Spitalin e Gjilanit se mos është aty por pa sukses.
“Unë kam shkuar ne katin e dytë te shtëpisë kur jam kthyer nuk e kam pa Selimin, e kam kërkuar gjithë natën pa e ditur çka ka ndodhur. Në mëngjes kam shkuar në Spital e Polici por askush nuk më ka thanë që e kanë pa” – thekson Duraku, duke shtuar se pas gati 24 orëve e ka kuptuar se Selim Duraku gjendet në Polici.
Policia në Gjilan po arsyetohet se nuk e ka arrestuar 70-vjeçarin por vetëm e kanë shoqëruar apo lokalizuar për llogari të kolegëve të tyre në Prishtinë.
“Ju njoftoj se me datën 09 Maj 2022, Stacionit Policor Jugu Prishtinë ka kërkuar asistencë policore nga Stacionit Policor Gjilan për ta lokalizuar dhe sjelluar në stacion personin Selim (Avdi) Duraku sepse i njëjti kishte për tu intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor Jugu Prishtinë lidhur me një rast policor. Një njësit policor nga Stacionit Policor i Gjilan ka arrit të kontaktoj me personin e kërkuar dhe i njëjti është sjell në lokalet e Stacionit Policor në Gjilan në ora 23:15 min. të datës 09 Maj 2022 . Nga zyrtarët e Stacionit Policor Jugu Prishtinë është kërkuar që personi Selim (Avdi) Duraku nga patrulla policore e Gjilanit të transportohej deri në fshatin Llabjan ku iu është dorëzuar zyrtarëve policor të Stacionit Policor Jugu. Zyrtaret Policor të Stacionit Policor Gjilan nuk e kanë njoftuar familjen e Selim (Avdi) Durakut për arrestimin ngase i njëjti nuk është arrestuar nga ana e tyre, ai vetëm është shoqëruar deri në stacionin policor dhe më pas iu është dorëzuar Zyrtarëve Policor të Stacionit Policor Jugu Prishtinë” – thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjilanit.
Policia në Prishtinë po e pranon se e kanë arrestuar të dyshuarin për dallim nga kolegët e tyre në Gjilan por fajin për moslajmërimin e familjes se ku gjendet i dyshuari po ia hedhin tashmë të ndjerit, pasi, sipas tyre, i njëjti nuk ka dashur të jap kontaktin e familjes.
“Është arrestuar me datën 09.05.2022, i dyshuari është arrestuar nga ana e stacionit policor të Gjilanit. Nga shkresat e lëndës konfirmohet se i dyshuari ka refuzuar të jap të dhëna apo informata për kontakt të ndonjë familjari të tij. I dyshuari pas arrestimit në Gjilan është sjellë në stacionin policor Jugu në Prishtinë për tu proceduar tutje si rrjedhojë e denoncimit të bërë ndaj tij” – thotë Policia.
I dyshuari për sulm seksual ishte intervistuar në stacionin policor Jugu në Prishtinë pa prezencën e një avokati.
Sipas përgjigjes së Policisë i njëjti edhe këtu kishte refuzuar të ketë mbrojtës.
“Pasi është intervistuar, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej. Në të dyja rastet shkresat e lëndës konfirmojnë se i dyshuari ka refuzuar të ketë avokatin mbrojtës përkundër që është njoftuar për mundësinë ligjore që të ketë ndihmë juridike” – theksoi Policia.
Kjo po mohet nga avokati i të pandehurit, Jeton Ibrahimi. Avokati nga Gjilani po thotë se 70-vjeçari ka qenë klient i tij që 5 vite dhe nuk qëndron fakti se ai nuk ka dashur avokat.
“Mua më ka thanë dhe e ka cekur edhe në procesverbal në seancën e parë se nuk ju ka dhanë kjo mundësi që të me kontaktojë mua apo familjen” – thotë Ibrahimi.
Përveç vdekjes së 70-vjeçarit, askush nuk do ketë mundësi ta kuptojë se çfarë ka ndodhur. E para e drejta e viktimës – një vajzë 14-vjeçare, e cila pretendon se është sulmuar seksualisht. Ajo do rritet pa e marrë një vendim final të gjykatës. E dyta – familja e 70-vjeçarit. As kjo nuk do të marrë një përgjigje finale për atë çfarë ndodhi.