Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në finalizimin e aktivitetit të mbjelljes së fidaneve në veri, në fshatin Banjskë para disa dite.
Ai tha se tani kur edhe në këtë pjesë të Kosovës sundon rendi dhe Ligji, duhet ushtruar të gjitha përgjegjësitë tona sektoriale.
“Në këtë drejtim edhe MBPZHR, përmes Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, po i zbaton përgjegjësitë e saj. Në veri të Republikës së Kosovës, përpjekjes për ta shndërruar në ambient toksik ne i përgjigjemi me mesazhin e paqes dhe ofrimit të fidaneve që simbolizojnë paqe duke dhuruar mjedis të pastër për qytetarët. Tani kur po zbatojmë projektin e revitalizimit të pyjeve, pyllëzimi në këtë vend sot përveç të tjerash bartë edhe simbolikën së ardhmes së re prosperuese”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Gjithashtu ai sot në rrjetin social Facebook ka publikuar një video ku në veri të vendit në Leposoaviq, Ministria ka mbjellur 25 mijë fidane në një sipërfaqe prej 10 hektarësh.
“Mirëmëngjesi nga Koshtova e Vllahisë, në komunën e Leposaviqit. Aty ku Ministria ka mbjellur 25 mijë fidane në një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Na duhet mobilizim kombëtarë për ambient të pastër e të gjelbërt!”, ka shkruar ai.