Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar sot të porsalindurit që kanë ardhur në jetë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”.
Ares dhe Rajd ishin dy binjakët që që lindën shëndosh e mirë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” sapo akrepat e orës shënuan 12:00. Po në këtë maternitet pas mesnate kanë lindur edhe 6 foshnje të tjera të cilët gëzojnë shëndet të plotë.
Ministrja Koçiu vizitoi fillimisht fëmijët e lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” duke iu dhënë edhe çekun e bebes.
Gjithashtu, Koçiu vizitoi edhe fëmijët e lindur në maternitetin “Koço Gliozheni” ku në natën e Vitit të Ri kanë ardhur në jetë 2 foshnje.
Koçiu ka falënderuar stafin e mjekëve dhe infermierëve që ishin në shërbim të nënave dhe fëmijëve në natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.
Prej vitit 2019, qeveria dhe MSHMS vijojnë të mbështesin programin e bonusit të bebes të cilin e kanë përfituar rreth 227 mijë familje që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.
Nga 1 Janari deri në Nëntor 2024 e kanë përfituar bonusin e bebes 24061 të porsalindur. Bonusi i bebes përfitohet vetëm nga familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri duke mbështetur në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 000 lekë për fëmijën e dytë, 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë.
Edhe në buxhetin e vitit 2025, për Programin e Bonusit të Bebes është akorduar një fond prej 2.2 miliardë lekësh, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj.
Burimi: botasot.info