Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para vazhdon me zbatimin e masave që sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët dhe nxisin investimet në mënyra më ekonomike, më efikase dhe më të pastra të ngrohjes.
Aktualisht është i hapur thirrja publike për ndarjen e subvencioneve për kyçje në gaz natyror dhe për blerjen e kaldajës me gaz, përmes së cilës amvisëritë mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 30.000 denarë, respektivisht deri në 70% të shpenzimeve të kryera.
Ministria rikujton se afati për dorëzimin e kërkesave është 31 tetor 2026, dhe të gjithë qytetarët e interesuar që i plotësojnë kushtet kanë mjaftueshëm kohë për ta shfrytëzuar këtë mundësi.
Me këtë masë, shteti jo vetëm që u ndihmon familjeve të ulin shpenzimet e investimit, por kontribuon edhe në rritjen e efikasitetit energjetik, përdorimin e energjensave më të pastër dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.
Të drejtë për mbështetje financiare kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do të realizojnë kyçje shtëpiake në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe amvisëritë që do të blejnë kaldajë me gaz natyror për objekt që ka qenë i kyçur në sistem deri më 1 janar 2026. Për një amvisëri mund të dorëzohet vetëm një kërkesë.
Për këtë masë janë siguruar 3 milionë denarë, ndërsa mjetet do të ndahen sipas kushteve të përcaktuara në thirrjen publike. Ndarja e mjeteve do të bëhet sipas parimit “i pari vjen – i pari shërbehet”, deri në shterimin e buxhetit të paraparë.
Më shumë informacione janë të disponueshme në faqen zyrtare të ministrisë:
energy.gov.mk/mk-MK/odnosi-so-javnost/javni-oglasi/javen-oglas-za-nadomestuvanje-na-del-od-trosocite-za-izvedba-na-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-vo-rsm-ili-za-nabavka-na-kotel-na-gas-na-izvrsen-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-oktomvri
Pas përfundimit të afatit, komisioni i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë aplikimet e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që planifikojnë kyçje në gaz natyror ose blerje të kaldajës me gaz të mos e humbin mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në kohë.
Mbështetja e qytetarëve mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para. Përmes masave konkrete dhe subvencioneve, Ministria vazhdon të zbatojë politika që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për amvisëritë, ulin kostot e energjisë dhe përshpejtojnë kalimin drejt zgjidhjeve më efikase dhe më të qëndrueshme të ngrohjes. përcjell Zhurnal.mk .
Burimi: lajmpress.org



