Ministri Xhemail Çupi mori pjesë në Konferencë shkencore ndërkombëtare “Ballkani dhe globalizimi”

November 1, 2022
min lexim

Nën organizimin e Institutit për trashëgimi shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, Shkup, ministri Dr. Xhemail Çupi mori pjesë në këtë eveniment ku pati nderin të u drejtohet të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, në vijim të tërë mund ta lexoni fjalimin:

Fjalë përshëndetëse – Konferenca shkencore ndërkombëtare “Ballkani dhe globalizimi”

I nderuar nikoqir i këtij evenimenti shkencor ndërkombëtar, njëherit drejtor i Institutit për trashëgimi shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, z. Skender Asani, i nderuar koleg, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, z. Lulzim Aliu, i nderuar drejtor i Agjencionit për zbatimin e gjuhëve, z. Ylber Sela, i nderuar zëvendës drejtori i Agjencisë për emigracion, z. Izmit Nura, i nderuar kryeredaktor i konferencës, z. Sefer Tahiri, të nderuar zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore dhe publike, të nderuar studiues, profesor, përfaqësues të instituteve hulumtuese të vendit dhe të rajonit, i nderuar Këshill organizues, të nderuar gazetarë, të dashur të pranishëm, zonja dhe zotërinj.

Për mua, pjesëmarrja në këtë konferencë shkencore e organizuar nga Instituti juaj është jo vetëm kënaqësi e veçantë por edhe sfidë e madhe, kjo për faktin se “nëse thuhet se bota është shëndruar në një fshat global”, ku kemi qasje të shpejtë në informacione dhe liri e lëvizjes së njerëzve, pyetja që besoj na shqetëson të gjithëve është: Ku është pozicioni i Ballkanit në këtë mes? Sa ajo ka avancuar në proceset globalizuese? Pse dita-ditës migracioni në Ballkan dhe në vendin tonë rritet? Dhe mbi të gjitha: Cilat janë strategjitë dhe masat e shtetit për tu përballuar me këto problematika?

Për tu ndalur në atë që është edhe fokus i angazhimit tim politik si Ministër i angazhuar për diasporë, Republika e Maqedonisë së Veriut ka një diasporë të madhe dhe relativisht të rëndësishme. Nëse flasim me gjuhën shpresëdhënëse mund të themi se: kjo diasporë është bërë gjithnjë e më shumë e organizuar për aktivitete kulturore, arsimore, shoqërore, kombëtare dhe fetare, e gatshme për të ndihmuar në çdo kohë vendin e vet. Ndërsa nëse e kthejmë në gjuhën pesimiste, me keqardhje duhet të konstatojmë se në dy dekadat e fundit lëvizjet migruese nuk janë studiuar thellësisht dhe si rrjedhojë nuk mund të mburremi se masat dhe aktivitetet shtetërore në funksion të zhvillimit social dhe ekonomik nga diaspora jonë kanë dhënë rezultatet e dëshiruara dhe të pritura qind për qind.

Me trendin e sodit të rinisë që janë orientuar drejt jetës më të mirë në vendet e zhvilluara Perëndimore, duke ja shtuar kësaj edhe ikjen e trurit, gjegjësisht migrimin e profesionistëve, mjekëve, inxhinierëve, etj. imponohet nevoja për ndryshime në trajtimin aktual të këtij problemi, që mund të ketë madje edhe kundër-efekte, me pasoja dhe implikime afatgjata, andaj sot konsiderohet emergjente nevoja për studim më të thellë dhe fokusimin në këtë problematikë jo vetëm të spektrit politik por qasje publike gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë edhe të studiuesve dhe hulumtuesve shkencor.

Marrë parasysh numrin e madh të diasporës dhe përqindjen e lartë të remitencave nga diaspora, kohëve të fundit po rritet interesimi i shtetit në raport me diasporën, kujtoj këtu Strategjinë Nacionale aktuale për diasporë që Qeveria dhe kabineti im është duke e implementuar, e gjithë kjo që të riafirmojë përkushtimin tonë drejtë diasporës që çdo përfaqësues i saj të ketë të drejta të siguruara, të ketë njohuri për të drejtat dhe mundësitë që të kontribuojë për zhvillim e qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut.

Kur të analizojmë këtë temë, do të shohim se në vendit tonë janë miratuar shumë ligje dhe rregullore, janë ratifikuar shumë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet fqinje, janë arritur shumë marrëveshje bilaterale për sigurim pensional etj. E gjithë kjo për të ofruar kushte më të mira për diasporën tonë atje ku jetojnë, por edhe rahati gjatë kohës së qëndrimit të tyre në vendlindje; për të krijuar kushte më të mira për investime, e kështu me radhë. Por pavarësisht kësaj, duke qenë realist mendoj se jemi shumë larg objektivit tonë final të pengimit të migracionit dhe kthimit të tyre në vendlindje.

Andaj, dhënia e mundësisë së diasporës për të luajtur një rol më aktiv është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë, për arsye se vetëm në atë mënyrë do të dalin në pah cilësitë e shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë arritur majat e suksesit në fusha të ndryshme si: biznes, mjekësi, art, shkencë etj. Por për të realizuar këtë duhet fillimisht të identifikohet diaspora jonë. Andaj konsideroj se hartëzimin e diasporës sonë civile, shkencore dhe ekonomike e kemi një nga prioritetet e kabinetit tim.

Diaspora konsiderohet gjithnjë e më shumë agjent zhvillimi, e cila mund të forcojë bashkëpunimin midis atdheut dhe mjediseve ku jeton. Kontributi i saj nuk duhet parë vetëm në dërgimin e ndihmave humanitare, apo në thithjen e investimeve dhe aktiviteteve sipërmarrëse, por edhe në fushën e transferimit të aftësive të reja profesionale, si dhe duke kontribuar në zhvillimin e demokratizimit të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Të gjitha institucionet vendore që kanë edhe pikën më të vogël të kontaktit me to duhet të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve për komunikim më të mirë me diasporën tonë. Është koha e duhur që pushteti duhet ta konsiderojë diasporën si partner të barabartë në vendimmarrje dhe një pjesë kyçe e pandashme e mirëqenies dhe prosperitetit të shtetit.

Si ministër i Qeverisë i angazhuar për diasporën, jam veçanërisht i vëmendshëm për gjithçka që ka të bëjë me fushën e kompetencave të mia, e gjithë kjo për të lehtësuar proceset e përfshirjes së diasporës sonë në të gjitha sferat e jetës, si në vendin e banimit ashtu edhe në vendlindje, duke vendosur theksin te projekti i hapjes së “qendrave për diasporë” në bashkëpunim me pushtetin lokal.

Në fund, bashkëpunimi me diasporën tonë duhet të jetë aktivitet i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Prandaj është e nevojshme të dërgohet një mesazh i përbashkët nga të gjithë ne se diaspora jonë, ajka e shoqërisë, është e dëshiruar po aq sa e dëshirojmë vetë atdheun.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Plagjiatorët nuk e kanë vendin në Universitet

Story i radhës

MEPSO fillon procesin e digjitalizimit të përçimit, drejtori Murtezani: Bëhet fjalë për projekt me vlerë prej 5 milionë eurove!

Të fundit nga

ShkoLartë