Ministri i Brendshëm ukrainas Denys Monastyrskyy ka folur për BBC rreth gjendjes aktuale në Ukrainë pas agresionit rus.
Ai ka thënë se janë të përgatitur për çdo skenar të sulmeve ruse, përfshirë Kievin dhe qytetet tjera.
“Presidenti çdo ditë më pyet, çdo ditë ne bashkërendojmë përpjekjet tona për situatën dhe atë që po ndodh dhe çdo ditë përgjigjemi se situata është serioze, por stabile. Po, me të vërtetë, armiku çdo ditë dërgon gjithnjë e më shumë forca. Por forcat tona të armatosura të lavdishme po shkatërrojnë gjithçka që mbërrin në Kiev. Kievi mbetet vendi i goditjes kryesore”, tha ai.
Për më tepër, ministri ukrainas tha se po krijojnë grupe të lëvizshme për të kërkuar dhe për të kapur diversantët.
“Ne kemi deri në 100 grupe të tilla aktive në Kiev, në varësi të orës së ditës. Ju mund të dëgjoni të shtëna armësh në qytet [ndërsa ata veprojnë]. Shumë njerëz janë kapur, specialistët tanë janë duke punuar me ta. Ne e kuptojmë se ne e kemi qartë në kontroll situatën në qytet në përgjithësi, por ka shumë çështje që vendosen çdo orë apo edhe çdo minutë”, u shpreh ai.