Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është licencuar nga shteti, gjë që kërkohet me legjislacionin në fuqi.
Dhe, Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ka ripërsëritur se nëse FFK-ja nuk i përmbush kriteret e licencimit atëherë do të pësoj i gjithë futbolli, sidomos klubet, të cilat mund t’i humbasin edhe ata pakë sponsorë që iu ndihmojnë financiarisht, ndonëse gjendja financiare e tyre edhe ashtu lë për të dëshiruar.
Ministri Çeku, është pyetur në “Rubikon” të Klan Kosovës se çka do të ndodh me klubet nëse federata e tyre nuk licencohet? Dhe përgjigja e tij ishte se klubet do të pësojnë.
“Nuk e gëzojnë asnjë të drejt që rrjedh qoftë nga Ligji I Sportit apo Ligji I Sponsorizimit”, është përgjigj ministri.
“Njëkohësisht penalizohen klubet?”. “Absolutisht. Ajo Federatë e humbë të drejtën e organizimit të garave sportive në territorin e Kosovës”, theksoi Çeku.
Edhe më herët vet ministri i Sportit kishte thënë se mos-licencimi nënkupton mos-njohje të federatës nga ana e shtetit. Rrjedhimisht, sipas ministrit, shteti nuk mund t’i njohë as garat kampionale dhe asnjë aktivitet tjetër të një federate të palicencuar.
Po ashtu, ai ka treguar se Qeveria gjithashtu nuk mund ta financojë asnjë projekt të një sporti të palicencuar, i cili madje nuk gëzon benifite as nga Ligji i Sponsorizimeve dhe nga ligjet tjera në fuqi.
Ai ka potencuar se FFK po përgatitet për aplikim për licencim, por në këtë proces duhet të dëshmojë nëse Kuvendi Zgjedhor i saj i mbajtur në prill, ku Agim Ademi është rizgjedh kryetar, ka qenë në përputhje me ligjet e Kosovës, statutin e FFK-së dhe aktet tjera normative.
Vet Zyra Ligjore kishte gjetur shkelje të shumta në organizimin e atij Kuvendi, të cilin FFK-ja e kishte mbajtur përkundër vërejtjeve të këtij departamenti ligjor dhe polemikave të shumta në opinionin e gjerë.