Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani prej sot e deri të premten do të jetë në turne baltik në kuadër të të cilit do t’i vizitojë Vilnusin, Talinin dhe Rigën, ku në takime me nikoqirët e tij do ta riafirmojë mbështetjen tonë për përforcim të Krahut lindor të NATO-s në mbrojtje të kontinentit evropian si pasojë e kontestit të ndryshuar gjeopolitik, do ta promovojë dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila kalon përmes procesit të skriningut të Unionit dhe do t’i prezantojë prioritetet e kryesimit të vendit me Organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Siç kumtoi MPJ, në kuadër të vizitës së sotme zyrtare në Lituani, Osmani do të takohet me kolegun e tij lituanez, Gabrielius Landsbergis dhe me kryetaren e Kuvendit lituanez, Viktoria Nielsen.
Shefi i diplomacisë do të flasë në Forumin Vilnus 2022 të titulluar “E ardhmja e demokracisë”, në panelin me temë “Çka do ta zëvendësojë arkitekturën e fragmentuar globale të sigurisë, ndërsa do ta vizitojë Qendrën për ekselencë të sigurisë energjetike të NATO-s.
Gjatë vizitës së nesërme në Estoni, Osmani do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Urmas Reinsalu, si dhe me kryetarin e Parlamentit estonez, Juri Rutas.
Në margjina të qëndrimit në Talin, është planifikuar Osmani ta vizitojë Qendrën estoneze për zhvillim ndërkombëtar dhe Qendrën e ekselencës për bashkëpunim në mbrojtjen kibernetike të NATO-s.
Të premten, shefi i diplomacisë do të qëndrojë për vizitë në Letoni, ku do të realizojë takim me kolegun e tij estonez, Edgars Rinkeviçs dhe me kryetarin e Komisionit kuvendor për politikë të jashtme, Rihard Kols. Mes tjerash, është planifikuar edhe takim me ushtarët nga Maqedonia e Veriut të cilët janë pjesë e kontigjentit slloven në Misionin e NATO-s për rritje të pranisë së përforcuar në Letoni.