1
Dibër, 10 prill – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, në margjinat e konferencës rajonale me temën “Avancimi i reformave për mbrojtjen e fëmijëve – mundësi në bazë të kornizës për garancionin e fëmijëve të BE-së”, në Tiranë ka realizuar takim me ministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Qëllimi i takimit të përbashkët me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Albana Koçiu dhe ministrin e Mbrojtjes Sociale, Kujdesit mbi Familjen dhe Demografisë të Malit të Zi, Damir Gutiç, ishte thellimi i bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes këtyre vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, mbrojtjes së fëmijëve dhe implementimit të politikave që sigurojnë mirëqenien e grupeve të cenueshme”, publikoi ministri Limani.
Ai vlerëson se takimi u shfrytëzua për të ndarë praktika pozitive dhe iniciativat e suksesshme që kanë aplikuar vendet pjesëmarrëse në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.
“Këto praktika u diskutuan si mundësi për të nxitur përmirësime dhe rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve, si dhe për të përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të mposhtur sfidat e përbashkëta”, shton Limani.
Gjithashtu u diskutua nënshkrimi i Memorandumeve të bashkëpunimit si mënyrë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.
“Këto memorandume do të përfshijnë angazhime për të shkëmbyer informacion dhe praktika, për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe për të krijuar mundësi të reja për mbështetje reciproke në fushën e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve. Kjo do të sigurojë një koordinim më të mirë dhe një angazhim më të madh për realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, citon Limani.
Në fjalimin e tij në konferencë, ai ndër të tjera theksoi se “mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe sigurimi i një të ardhmeje më të ndritshme për çdo fëmijë është një nga prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut”.
BURIMI: zhurnal.mk