Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov në kuadër të turneut të tij në Amerikën Latine pas Brazilit dhe Venezuelës, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Nikaragua, transmeton Anadolu.
Lavrov u takua me presidentin e Nikaraguas, Daniel Ortega, zëvendës presidentin Rosario Murillo dhe ministrin e Jashtëm, Denis Moncada në Qendrën e Konventave “Olof Palme” në kryeqytetin Managua.
Pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve, Lavrov iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të mediave.
Ortega falënderoi Lavrovin për vizitën e tij në Nikaragua. “Ndihemi jashtëzakonisht të nderuar dhe të lumtur që jeni këtu dhe që përkon me Ditën Kombëtare të Paqes, kur mposhtëm agresionin imperialist”, tha ai.
Duke reaguar ndaj Bashkimit Evropian (BE), Ortega tha: “Që nga dita që ata pushtuan, kolonizuan, skllavëruan të gjitha këto rajone dhe kryen gjenocid kundër popullit indigjen, ata i kanë bërë dëm të madh popullit të rajonit tonë”.
Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tërhoqi vëmendjen për lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe tha se dëshirojnë të zhvillojnë më tej marrëdhëniet.
Lavrov tha se do të zhvillojnë takime të reja në kuadër të Forumit Ndërkombëtar në Shën Petersburg të Rusisë i cili pritet të organizohet këtë vit. Ai theksoi se janë dakorduar që marrëdhëniet Rusi-Nikaragua t’i çojnë në një shkallë më të lartë.
“Ne i kushtojmë rëndësi të madhe mbështetjes së Nikaraguas”
Shefi i diplomacisë ruse kujtoi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e arsimit, prodhimit të ushqimit dhe transportit. “Ne i kushtojmë rëndësi të madhe mbështetjes së Nikaraguas në avancimin e marrëdhënieve tona me organizatat integruese në Amerikën Latine”, tha Lavrov.
Duke uruar sot Nikaragua-n në Ditën Kombëtare të Paqes që festohet çdo vit, Lavrov tha se Nikaragua ka ruajtur stabilitetin e saj si rezultat i përpjekjeve të presidentit Ortega.