30 dhjetor – Se mjedisi në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje primare dhe nuk i kushtohet rëndësia e duhur është dëshmuar shumë herë, madje duke pasur edhe rezultate katastrofale për sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit, duke u radhitur kryeqyteti i vendit, Shkupi, si qyteti me ajrin më të ndotur në botë. E kjo gjendje dhe kjo situatë jo e përshtatshme me mjedisin nuk është e rastësishme, por vjen si pasojë e udhëheqjes me këtë institucion njerëz jo relevant që nuk ia kanë “haberin” mjedisit, e për këtë gjë as që brengosen. Figura që nuk kanë treguar asnjë rezultat pozitiv në përmirësim të gjendjes së shkatërruar të mjedisit. I fundit që po udhëheq me mjedisin nga viti 2019 është “turisti” apo “aventurieri” nga Vjena dhe Britania, Naser Nuredini, i cili gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar se është i aftë për takime me këdo e kudo, por jo edhe i aftë në realizim të projekteve që normalisht duhet buruar nga ato takime, shkruan Zhurnal.
Mjedisi, shëndetësia e arsimi janë po të së njëjtës rëndësi-
Për çështjet shëndetësore e ato arsimore shpesh flitet e diskutohet për mangësitë dhe investimet që duhet bërë, por jo pak flitet edhe për mjedisin por që shihet që nuk është e mjaftueshme ajo që thuhet e bëhet për mjedisin. Mbase, për të funksionuar një shtet normal që është edhe shtet kandidat për anëtarësim në BE çështjet mjedisore nuk duhet t’i trajtojë asnjëherë si çështje dytësore.
Në Maqedoninë e Veriut Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shpesh herë është udhëhequr nga njerëz jo adekuat e aspak kompetent, të cilët as idenë nuk e kishin se sa i rëndësishëm është ambienti e mjedisi për një shëndet fizik por edhe mental. Madje, në ndarjen e kulaçit qeveritar dhe kur partitë partnere në koalicionet qeverisëse këtë Ministri e kishin si “gomë rezervë” sa për ta bërë ndonjë ministër se për të çuar para çështjet e mjedisit reflekton se nuk është menduar e munduar ndonjëherë.
E këto mbase nuk janë komente e vlerësime koti, sepse po të njëjtën e thonë rezultatet e publikuara për nivelin e ndotjes së ajrit duke e radhitur Maqedoninë e Veriut shumë herë si shtetin me ajrin më të ndotur në Evropë. Në shumë qytete shpesh herë janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar.
E po të njëjtën e thotë edhe Komisioni Evropian, sipas të cilëve kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.
Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël. Për të zbatuar masat për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në rajonet Lindore dhe Verilindore, si dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një ligji për klimën, në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.
Shkupi ndër qytet më të ndotura në botë–
Qyteti i Shkupit vazhdon të mbajë pozita të larta në gjithë botën, për sa i përket ajrit të ndotur. Kryeqyteti i vendit u rendit në vendin e nëntë, ndërsa gjendja ende më alarmante ishte gjatë javës, pasi i njëjti ishte qyteti i tretë në botë me ajër më të ndotur. Me indeks të ndotjes së ajrit prej 182 mikogram për metër kub, qytetet e vetme më të ndotura se Shkupi ishin Nju Delhi në Indi dhe Lahore në Pakistan.
Sipas Indeksit Evropian për cilësinë e ajrit (Agjencia Evropiane për Mjedisin Jetësor – ЕЕА), Indeksi aktual për cilësinë e ajrit kategorizohet si: “Ekstremist i keq (i varfër)” në stacionet matëse në Shkup për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM10 dhe në Berovë për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM5.
Në Veles, Strumicë, Prilep, Gostivar, cilësia e ajrit kategorizohet si “shumë e keqe” për shkak të tejkalimit të përqindjeve të grimcave PM10, ndërsa në Manastir për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM5. Cilësia e ajrit në Kavadar karakterizohet si “e keqe” për shkak të tejkalimit të përqendrimeve të grimcave PM10 edhe në Koçan, përqendrimeve të larta të grimcave PM5. Sipas parashikimeve të ЕЕА, gjendja në 24 orët e ardhshme do mbetet pothuajse e pandryshuar, duke pasur parasysh faktorët meteorologjik.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Pasojat nga ajrit ndotur?
Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.
Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk