Ministri i Brendshëm i Türkiye-s, Süleyman Soylu, mbrëmë njoftoi se vendi i tij ka neutralizuar 129 terroristë gjatë vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
Soylu shkroi në Twitter se në vitin 2022 janë kryer 130.981 operacione rurale kundër terroristëve, gjatë të cilave u vranë 107 terroristë dhe 22 u arrestuan.
Ai gjithashtu bëri të ditur se të paktën 1.190 strehimore dhe shpella të terroristëve u shkatërruan gjatë operacioneve.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar pothuajse 1.000 armë, 1.131 granata dore, 275 mina/eksplozivë të improvizuar, 7,9 tonë eksploziv dhe pothuajse 430 mijë copë municione.
Ndërkohë, incidentet terroriste janë ulur, kurse të paktën 125 anëtarë të grupit terrorist PKK u dorëzuan tek ushtarët turq në vitin 2022.
Soylu premtoi se Türkiye do të vazhdojë operacionet e saj antiterroriste pa ndërprerje.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si grup terrorist nga SHBA-ja, BE-ja dhe Türkiye, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.