Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci vizitoi sot zonën e Anamoravës, ku u takua me kryetarët e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës.
Vizitën e tij ministri Peci e filloi në Viti, për të vazhduar në Gjilan dhe Kamenicë, duke përfunduar kështu turnin e planifikuar për këtë zonë, siç edhe e quajti ai, me potencial të lartë për zhvillimin e bujqësisë.
Gjatë takimeve me kryetarët e tri komunave të Anamoravës u dakordua mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndër-institucional mbi programet mbështetëse, Programit për Pagesa Direkte dhe Programit për Zhvillim Rural, kryesisht gjatë fazës së monitorimit dhe kontrollit në teren, në mënyrë që nga këto mjete të përfitojnë bujqit meritorë.
“Ne u dakorduam që t’i kontribuojmë sektorit të bujqësisë, si një ndër sektorët më të rëndësishëm për siguri ushqimore ashtu edhe për zhvillim ekonomik, duke krijuar kushte të volitshme për të gjithë prodhuesit e përpunuesit e produkteve bujqësore”, tha pas takimeve ministri Faton Peci.
Ndryshe, Kamenica është njëra ndër komunat përfituese, ku së fundmi nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për investime në projektin për ndërtimin dhe rehabilitimin e sistemit të ujitjes në vlerë 277.601 euro.