Siguria kibernetike dhe praktikat më të mira evropiane ishin temat e fokusit të takimit të sotëm të Forumit të Sigurisë Digjitale të Ballkanit Perëndimor të zhvilluara në Talin të Estonisë, takim në të cilin morri pjesë edhe Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Aliti.
Në këtë Konferencë të nivelit të lartë, liderët dhe ekspertët e sigurisë kibernetike kishin mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri, për të diskutuar në kontekst të digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke i shfrytëzuar praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Në suaza të këtij Forumi, ministri Aliti foli në panel diskutimin të titulluar:
,,Praktikat më të mira në lidhje me reformat e sigurisë kibernetike”, kushtuar rekomandimeve mbi ndërtimin e kapaciteteve në nivel operativ dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të informacionit.
Ministri Aliti iu referuan aktiviteteve të MSHIA-së, në kontekst të digjitalizimit të proceseve të cilët u pasqyruan si jashtëzakonisht të rëndësishëm në periudhën e krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Njëkohësisht, ministri potencoi angazhimin e fuqishëm lidhur me bashkëpunimin aktiv me të gjithë faktorët kyç mbi përforcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike.
Mes tjerash, ministri vuri në pah Projektin e USAID-it, në aspekt të rritjes së rrezistencës kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike nga sulmet kibernetike, si dhe e theksoi rëndësinë e nevojitjes së formimit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike.
,,Digjitalizimi duhet të vazhdojë me tempo të përshpejtuar, por njëkohësisht siguria duhet të jetë komponenti më i rëndësishëm”, theksoi mes tjerash ministri Aliti duke shtuar dhe se duhet t’i praktikojmë të gjitha përvojat pozitive të vendeve perëndimore, si dhe t’i hulumtojmë mundësitë.
Njëkohësisht, ministri Aliti dha porosinë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet akoma më tepër ta përforcojnë bashkëpunimin dhe komunikimin reciprok në aspekt të këtyre temave, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmohet jashtëzakonisht shumë nëpërmjet ndarjes së njohurive dhe përvojave të ngjashme.