Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se eksportet e Kosovës janë rritur në shkallë më të lartë se importet në tetë muajt e parë të vitit 2026.
Kusari-Lila, në emisionin “Intervista e javës” në kp, tha se eksportet janë rritur për 17.5 për qind dhe kanë arritur vlerën prej 419 milionë eurosh, ndërsa importet kanë shënuar rritje prej 5.8 për qind dhe kanë arritur në rreth 2.9 miliardë euro.
Megjithatë, ajo e pranon se diferenca mes importeve dhe eksporteve vazhdon të jetë e madhe. Sipas saj, një nga objektivat e institucioneve është që kjo diferencë të ngushtohet përmes rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe fuqizimit të eksportit.
Sipas saj, brenda CEFTA-s, Kosova importon më shumë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sesa nga Serbia.
Kusari-Lila: Eksportet e Kosovës janë rritur në shkallë më të madhe sesa importet
“Eksportet e Kosovës janë rritur në shkallë më të madhe sesa importet. Eksportet janë rritur me 17.5 për qind, kanë arritur në 419 milionë euro, ndërsa importet janë rritur me 5.8 për qind, por kanë arritur 2.9 miliardë euro. Prapë është një dallim shumë i madh, një diferencë shumë e madhe, një gap, me të cilin synojmë. Varet shumë se si do të jetë tash kjo periudha e tremujorit të tretë të vitit, dhe ta shohim deri në fundin e vitit se sa ka me pas rritje të eksportit, domethënë a mundet proporcionalisht me pas rritje ende më të madhe sesa rritja e importit. Ne jemi duke i targetuar disa pjesë me të cilat drejtpërdrejt mundemi me ndikuar në zvogëlimin e importit edhe rritjen e eksportit. Kapacitetet industriale dhe infrastruktura industriale është një fokus i yni… Serbia është diku në vlerën totale të importit diku 3-4 për qind komplet. Nga vendet e CEFTA-s janë vendet e rajonit, është Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, para Serbisë. Ndërsa nga vendet e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian përndryshe është partneri kryesor tregtar, është Gjermania, pastaj nga vendet jashtë Bashkimit Evropian është Zvicra, me të cilin kemi tashmë edhe një bilanc pozitiv tregtar në raport me shërbimet”, shtoi ajo.
Kusari-Lila foli edhe për takimin e saj dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me pronarët e disa prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në Kosovë.
Ajo tha se qëllimi i takimit ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me operatorët e mëdhenj ekonomikë dhe diskutimi për mënyrat se si produktet vendore mund të kenë më shumë hapësirë në tregun kosovar.
Takimi me “oligarkët”, çka biseduan Kurti e Kusari-Lila me pronarët e supermarketeve në Kosovë
“Është shumë e rëndësishme me e pas këtë komunikim, edhe me ditë se çka është orientimi i politikave tona, dhe cila është mënyra e forma më e mirë e ngritjes së bashkëpunimit në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. E një prej formave është edhe plasimi i produkteve vendore. Dhe përveç tjerave, kemi diskutuar seriozisht për disa tema të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fuqizimin e prodhimit. Me projektligjet apo ligjet të cilat së shpejti pritet ose të përcjellen në Kuvend për miratim, apo tashmë janë në procedurë të draftimit, një prej tyre është Ligji për Tregtinë e Brendshme, i cili përcakton se si rregullohet tregtia brenda vendit, që përfshin raftet, që përfshin mënyrën e ekspozimit të produkteve dhe dispozita të tjera që i prekin drejtpërdrejt të gjithë zinxhirët e marketeve… Ata janë konkurrentë mes veti. Ne i kemi takuar të gjithë bashkë, ne nuk i kemi takuar ndaras. Domethënë, ata të pestit që kanë qenë prezent aty, ata janë në konkurrencën më të fortë”, shtoi ajo.
Krahas temave ekonomike, Kusari-Lila është pyetur edhe për pozitën e saj aktuale institucionale, nëse duhet të konsiderohet ministre në detyrë apo deputete e betuar e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se mund t’i referohet si ministre në detyrë, ndërsa ka pranuar se është edhe deputete e betuar. Megjithatë, sipas saj, mandati parlamentar ende nuk ka filluar të ushtrohet në praktikë, pasi Kuvendi nuk është aktiv dhe nuk ka vendimmarrje.
Sipas saj, situata aktuale tregon nevojën për një interpretim më të qartë ligjor për periudhën e tranzicionit institucional.
Ajo ka thënë se pas formimit të institucioneve të reja duhet të qartësohet edhe mënyra se si rregullohet ky tranzicion, veçanërisht në raport me Ligjin për Qeverinë.
Ministre në detyrë apo deputete? Kjo është përgjigjja e Mimoza Kusari-Lilës
“Mund të më referoheni si ministre në detyrë dhe, ashtu siç e cekët, deputete e betuar, por me një seancë e cila nuk është përmbyllur ende. Jo, për shkak se ne nuk jemi duke ushtruar funksionin e deputetit ose ende të paktën nuk ka Kuvend aktiv, nuk ka vendimmarrje aktive, ndërsa përveç procesit të betimit, asnjë procedurë ose asnjë aktivitet tjetër që lidhet me ushtrimin e atij funksioni nuk është zhvilluar ndërkohë… 03:19 Në situatën aktuale ne nuk kemi nisur procese legjislative. Unë nuk jam duke votuar në Kuvend, nuk jam duke ushtruar funksionin e deputetes për shkaqe, për arsye të cilat janë të njohura, e gjithashtu nuk jemi duke iniciuar asnjë procedurë ligjore ose vendimmarrje që do të cenonte qoftë aktivitetin tim si ministre në detyrë apo aktivitetin me mandatin të cilin jam betuar, por të cilin ende nuk kemi filluar me e ekzekutuar. Dhe në këto rrethana, po, duhet, është e domosdoshme që me formimin e institucioneve të riformulohet ose të kemi një interpretim më të qartë në aspektin edhe të mënyrës se si shkruhet edhe Ligji për Qeverinë, në veçanti në klauzolat ku e parasheh këtë tranzicion”, theksoi ajo.
Burimi: botasot.info


