Të dhënat e fundit të Eurostatit tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë së Bashkimit Evropian mbi moshën 18-vjeçare është mbipeshë, ndërsa 16,3% konsiderohen obezë.
Sipas statistikave për vitin 2025, 35,4% e të rriturve në BE kanë indeks të masës trupore (BMI) nga 25 deri në 30, ndërsa 16,3% kanë BMI 30 ose më të lartë, që klasifikohet si obezitet.
Në këtë aspekt, dallime të dukshme ka edhe mes gjinive. 17,4% e burrave në BE janë obezë, krahasuar me 15,3% të grave. Sa i përket mbipeshës, 41,9% e burrave rezultojnë mbipeshë, kundrejt 29,3% të grave.
Malta kryeson për obezitetin
Normën më të lartë të obezitetit në BE e ka Malta, ku më shumë se një në katër persona konsiderohet obez. Pas saj renditen Lituania me 24,6% dhe Finlanda me 23,2%.
Në anën tjetër, normat më të ulëta regjistrohen në Itali (7,0%), Greqi (12,8%) dhe Rumani (12,9%).
Po Maqedonia e Veriut?
Për Maqedoninë e Veriut, Eurostati ka të dhëna më të vjetra, nga viti 2022.
Sipas tyre, 15,4% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ishin obezë, një përqindje pak më e ulët se mesatarja e BE-së prej 16,3%.
Megjithatë, krahasimi duhet bërë me kujdes, pasi të dhënat për Maqedoninë e Veriut i përkasin vitit 2022, ndërsa ato të BE-së janë për vitin 2025.
Burimi: lajmpress.org


