Në Bruksel janë mbledhur Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku siç paralajmëroi sekretari gjeneral i Aleancës, Jens Stoltenberg, do të flasin se si NATO mund të marrë më shumë përgjegjësi për koordinimin e pajisjeve ushtarake dhe trajnimit për Ukrainën, duke e ankoruar këtë brenda një kuadri të fortë të NATO-s, shkruan TV21. Do të diskutojnë po ashtu edhe për një angazhim financiar shumëvjeçar. Ky ministror do të krijojë terrenin për arritjen e konsensusit mbi këto çështje si përgatitje për Samitin e Uashingtonit në korrik. Në këtë takim po merr pjesë edhe Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili para takimit u shpreh se qëllimi i Aleancës është jo vetëm ta ruajë, por edhe të rrisë investimet në mbrojtje në 2.15% të PBV-së deri në vitin 2025. Osmani shtoi se vendosmëria për të mbështetur Ukrainën mbetet e patundur.
“Uniteti dhe vendosmëria jonë janë forcat tona në avokimin për ndihmë të konsiderueshme për Ukrainën, duke u përballur me sfidat e shkaktuara nga agresioni rus. Sigurisht, këto sfida kanë implikime më të gjera, me Ukrainën vetëm si një pjesë të ambicieve imperialiste ruse, duke kërcënuar Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Kjo kërkon një përpjekje të sinkronizuar midis NATO-s dhe BE-së, duke theksuar urgjencën e integrimit të përshpejtuar Europian dhe Euro-Atlantik për të ruajtur sigurinë tonë kolektive”, tha Bujar Osmani, ministër i punëve të jashtme të RMV-së
Burimi: tv21