Ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen në Kiev për takimin e parë jashtë bllokut

Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën sot në kryeqytetin ukrainas Kiev për një takim jozyrtar, duke shënuar takimin e parë të përbashkët të 27 vendeve anëtare jashtë BE-së, raporton Anadolu.

“Ne kemi thirrur një takim historik të ministrave të jashtëm të BE-së këtu në Ukrainë, vend kandidat dhe anëtar i ardhshëm i BE-së”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell në “X”.

Ai tha se janë mbledhur në Kiev për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për popullin ukrainas, duke shtuar: “E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”.

Duke folur në një konferencë shtypi së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, Borrell, i cili ka qenë në Ukrainë që nga 30 shtatori, tha: “Ne do të studiojmë formulën e planit të paqes në mënyrë që të mbledhim më shumë mbështetje në mbarë botën”.

Nga ana e tij, Kuleba shprehu kënaqësinë për të mirëpritur homologët e tij të BE-së në kryeqytet, duke thënë se kjo është “një ngjarje historike”.

Ministri i Jashtëm ukrainas tha se do të bashkojnë përpjekjet për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin e Evropës.

Pasi mbërriti në Ukrainë, Borrell vizitoi Odesën të shtunën dhe tha se qyteti duhet të jetë “në faqet e para të gazetave falë aktiviteteve të tij kulturore”.

Të dielën, ai u bashkua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Kuleban në përkujtimin e Ditës së Mbrojtësve të Ukrainës.

Më vonë, ai u takua gjithashtu me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Rustem Umerov, me të cilin diskutuan ndihmën ushtarake të BE-së.





Story i mëparshëm

Qeveria britanike planifikon të ndalojë përdorimin e celularëve në shkolla

Story i radhës

Sherri në lokal/ Goditën me mjete të forta dy vëllezërit 25-vjeçar, 1 i arrestuar

Të fundit nga