Miliona banorë të Floridës ishin ende pa energji elektrike të premten, si pasojë e uraganit Milton që përshkoi këtë shtet, duke shkaktuar tornado dhe vdekjen e të paktën 16 vetëve.
Punonjësit e shërbimeve punuan për të rikthyer energjinë elektrike dhe shërbimin celular, ndërsa ekuipazhet e agjencive qeveritare dhe banorët pastronin pemët e rrëzuara dhe lagjet e prekura në zonat e përmbytura nga shirat e dendur të Miltonit.
Megjithëse uragani nuk goditi aq fort dhe me pasoja katastrafike nga sa ç’ishte paralajmëruar në Florida, një nga shtetet e goditura edhe nga uragani Helene rreth dy javë më parë – operacioni i spastrimit mund të zgjasë javë ose muaj.
Uragani i pestë më intensiv i Atlantikut në histori, Milton mund t’u kushtojë kompanive të sigurimit midis 30 dhe 60 miliardë dollarë, tha të premten Marcos Alvarez, analisti i firmës Morningstar DBRS që merret me vlerësime financiare. Por kjo shumë është gjithsesi shumë më e ulët nga parashikimi që ishte bërë në fillim të javës, para mbërritjes së stuhisë, për 100 miliardë dollarë dëme.
Shtëpia e Bardhë premtoi mbështetjen e qeverisë, ndërkohë që përmasat e dëmit janë ende duke u vlerësuar. Por kandidati republikan për president, Donald Trump sulmoi kandidaten demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris dhe Presidentin Joe Biden lidhur me masat e rimëkëmbjes nga stuhia.
“Qeveria federale … nuk ka bërë atë që duhet të bënte, në veçanti në lidhje me Karolinën e Veriut,” tha ai të enjten.
Karolina e Veriut u godit rëndë nga uragani Helene dhe zoti Trump përballet me një betejë të ashpër përballë zonjës Harris në atë shtet. Zonja Harris, e cila ka thënë se zoti Trump po përhap gënjeshtra në lidhje me përgjigjen e qeverisë, iu kundërpërgjigj politizimit të kësaj çështjeje gjatë një bisede me votues organizuar nga televizioni Univision të enjten.
“Për fat të keq kemi parë gjatë dy javëve të fundit, që me uraganin Helene dhe tani me pasojat e menjëhershme të Miltonit, që njerëzit po luajnë lojëra politike”, tha ajo pa përmendur emrin e ish-Presidentit Trump.
Politikanët e të dyja palëve janë thellësisht të vetëdijshëm se si ra mbështetja e për ish-Presidentin republikan George W. Bush pasi uragani Katrina shkatërroi New Orleans-in në vitin 2005. Perceptimi i shumë njerëzve në atë kohë ishte se përgjigja e administratës së tij ishte e pamjaftueshme.
Administrata e Presidentit Biden tha se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave do të ketë nevojë për fonde shtesë nga Kongresi, ku republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe demokratët kontrollojnë Senatin dhe u kërkoi ligjvënësve, të cilët janë me pushime, të veprojnë.
Numri i klientëve të kompanive energjetike në Florida pa energji elektrike kishte rënë në rreth 2.44 milionë deri në mëngjesin e së premtes, sipas faqes së internetit PowerOutage.us, nga një nivel më i lartë prej më shumë se 3.4 milionë klientësh menjëherë pas uraganit. Disa kanë pritur me ditë të tëra që energjia të rikthehej pasi Uragani Helene goditi zonën. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis paralajmëroi të enjten se megjithëse shteti kishte shmangur “skenarin e rastit më të keq”, dëmi gjithsesi ishte i konsiderueshëm./VOA
Burimi: botasot.info