Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, deponoi dorëheqjen e tij në qeveri për arsye personale. Milevski pritet të tërhiqet edhe nga detyra e kryetarit të PLD-së. Si pasuese e tij në krye të partisë përmendet emri i nënkryetares, Monika Zajkova, e cila e pohon informacionin nëse merr mbështetjen e anëtarësisë në kongres.
Largimi i Milevskit nga ekzekutivi hapi dilemat për rikonstruim të qeverisë duke ndërruar ministrin e shëndetësisë, Bekim Sali, administratës – Admirim Aliti, që të dy kuadër të Alternativës si dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski. Nga LSDM dhe Alternativa përgënjeshtrojnë informacionet.
“Konsideroj se në qeveri ka kapacitet. Besoj se ka hapësirë për ministra apo zëvendës ministra të caktuar nëse duhet të japin më shumë kontribut ose nga të cilët nuk janë të kënaqur nga puna e cilido ministër. Megjithatë kjo mbetet vendim i qeverisë.”,- tha deputetja e LSDM-së, Marija Georgievska.
“Qeveria funksionon normalisht dhe nuk ka arsye për kurrfarë rikonstruimi. Ministrat tanë, Bekim Sali dhe Admirim Aliti, janë ndër më të suksesshmit, jo vetëm në Alternativë por edhe në mbarë qeverinë.”,- thuhet në reagimin e Alternativës.
Nga BDI e shohin si të panevojshme rikonstruimin e qeverisë dhe thonë se as që është biseduar në këtë temë.