Mijëra fëmijë në Kosovë kanë shënuar edicionin e 11-të të Ditës Olimpike, që njëherit shënoi përfundimin e Javës Olimpike 2022 të nisur më 13 qershor 2022.
Komunat e Prishtinës, Gjilanit, Podujevës, Obiliqit dhe Hanit të Elezit, e kanë shënuar këtë ditë sot në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Sportit Shkollorë të Kosovës, ndërsa komunat tjera do ta shënojnë javën e ardhshme. Aktivitetet u mbajtën me fëmijët e klasave të gjashta.
Aktiviteti kryesor u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me ç’rast hapjen e bënë presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, të cilët i inkurajuan fëmijët që të merren sa më shumë me aktivitete sportive. Të pranishëm ishin edhe drejtues të Federatave Sportive, prindër të fëmijëve, arsimtarë etj.
Fëmijët praktikuan disiplinat e atletikës si vrapim 40 metra, kërcim së gjati dhe hedhje të gjyles. Aktiviteti u hijeshua edhe me vallet e Ansamblit “Bajram Curri”, ndërsa u lëshuan edhe balona me ngjyrë verdhë e kaltër në përkrahje të Ukrainës.
Në Prishtinë ishte paraparë të mbaheshin aktivitete edhe me fëmijët e klasave të pesta, por shkaku i reshjeve të shiut, aktiviteti u anulua.
23 qershori është data kur zakonisht shënohet Dita Olimpike në mbarë botën, ditë kjo që përkon me themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa në Kosovë u mbajt më herët për shkak të pjesëmarrjes së ekipit tonë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 që nisin javën e ardhshme.