Kryeministri, Hristijan Mickoski, pasi që e mendoi për 10 ditë, vendosi të mos dërgojë letër deri në Bruksel në lidhje me rrugën e integrimeve europiane. Tani thotë se një gjë e tillë është e kotë sepse tashmë është biseduar me liderët europianë. Por a ka mundësi që ndryshimet kushtetuese të ndodhin deri në fund të vitit, siç e ka pohuar tashmë disa herë me optimizëm ministri, Arben Taravari nga radhët e VLEN, Mickoski thotë se ato do të ndodhin kur Bullgaria të ratifikojë protokollin e aderimit të vendit në BE.
“Që të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, nevojitet që atë që ne e propozojë të pranohet dhe të mundemi që të fillojmë sipas atij parimi kur Parlamenti bullgar të ratifikojë Marrëveshjen aderuese të vendit tonë në suaza të BE-së, të vlejnë ato ndryshime kushtetuese dhe mendoj se është zgjidhje e drejtë duke pasur parasysh gjendjen në të cilën na vendosi Qeveria ku fjalën kryesore e kishte Bujar Osmani”, tha Hristijan Mickoski.
Propozimi i tillë për ndryshime kushtetuese me prapaveprim është vendosur në tavolinë edhe në bisedimin e Mickoskit me kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ministri për çështje europiane, Orhan Murtezani, në brifingun e djeshëm me gazetarët tha se von der Leyen nuk e ka refuzuar propozimin e tillë, gjë që lë hapësirë për zgjidhje potenciale. Mickoski nuk deshi të komentojë, vetëm shkurt u përgjigj.
“Ju lutem, t’i japim kohë kohës”, deklaroi Mickoski
Ajo që do të ndodh në të ardhmen varet edhe nga zgjedhjet parlamentare në Bullgari që do të mbahen nesër dhe a do të formohet Qeveri e qëndrueshme. Për atë se kush dëshiron që të jetë në krye të Qeverisë në Bullgari, Mickoski thotë se nuk mund ta thotë se kush në të ardhmen do të ishte bashkëbisedues më i mirë, por megjithatë tha se dëshiron që të fitojë partia e Borisovit, GERB, për shkak se është nga partia anëtare e Partive Popullore Europiane.
Burimi: TV21