72
Shkup, 25 shtator – Nëse VLEN-i planifikon të largohet nga koalicioni qeveritar, atëherë u qoftë me fat, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me deklaratën e deputetit nga radhët e partnerit shqiptar, Halil Snopçe, i cili tha se nëse miratohet Ligji për branitellat, atëherë VLENI nuk do të ketë vend në qeveri.
“Me fat”, u përgjigj shkurt kryeministri Mickoski, deklaratë e cila bëri bujë të madhe nëpër mediume. Meqë raportet mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it janë mjaft aktuale në skenën politike, pasi është krijuar një loj euforie se VMRO do të ndajë rrugët me VLEN-in dhe BDI do të rikthehet në pushtet, shumica e mediumeve u morën me porosinë e Mickoskit ndaj Snopçes dhe opinioni në detaje është i njoftuar për këtë. Por shumë pak u analizua pjesa e dytë e deklaratës së kryeministrit, të cilën ne do të analizojmë më detalisht, sepse pikërisht kësaj pjese i dhanë shum pak jehonë mediat në gjuhën shqipe, anipse kjo ndoshta është pjesa më e rëndësishme, shkruan Zhurnal. Kjo pjesë e përgjigjes iu adresua BDI-së dhe kreut të saj, sepse Mickoski të njëjtën përgjigje e dha edhe në pyetjen për të komentuar paralajmërimet e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, se do të dalin në protesta.
“Edhe atij i dëshiroj shëndet të mirë dhe fat”, u përgjigj kryeministri Mickoski.
Kuptimi i vërtetë i këtij “selami” për BDI-në, në fakt duket se është: “Nëse ua mban, dilni në protesta”, sepse Mickoski në vazhdim të përgjigjes tha se kush kërcënohet, duhet të realizon kërcënimin.
“Nëse dikush kërcënohet, duhet edhe ta realizon atë, e nëse nuk e realizon, krijon përshtypje të keqe në opinion. Unë kërcënimeve nuk u përgjigjem ashtu siç pret dikush”, tha Mickoski.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari e ka sqaruar situatën e krijuar sa i përket deklaratës së deputetit Snopçe, duke thënë se në funksionimin e qeverisë nuk ka probleme të mëdha. Por ende nuk ka ndonjë reagim ose sqarim nga BDI lidhur me deklaratën e Mickoskit, se nëse janë kërcënuar me protesta, atëherë këtë duhet edhe ta realizojnë.
Në tabllon e shahut politik, pas kësaj deklarate të Mickoskit, tani i takon BDI-së dhe Ali Ahmetit të luajnë “potez”-in e radhës. Nëse nuk realizojnë paralajmërimin për protesta, atëherë kjo do të interpretohej se VMRO-DPMNE u ka marë “erë në qafë” dhe e din se nuk kanë guxim të dalin në rrugë. Pas kësaj, opinioni shumë lehtë mund të krijon bindje se trimnia aq shumë e trumbetuar prej BDI-së në fakt është boshe, kurse kur duhet të dalin të protestojnë, kjo trimni tretet gjetiu.
Sado që mund të ketë qytetarë të cilët janë të revoltuar nga politikat e VLEN-it, sepse pritjet ndoshta kanë qenë më të mëdha, megjithatë ata nuk do ta shikojnë më BDI-në si opsion për votën e tyre, për shkak se tërhiqet disa hrë nga paralajmërimet që i bën, shkruan Zhurnal. U tërhoq nga paralajmërimi për rajonalizim si në Irlandë të Veriut ose Belgjikë, pastaj për kantonizim si në Zvicër, u harrua Paul Williamsi… Ndryshoi mendim për Ligjin për rritjen e numrit të ministrive në Qeveri, të cilin fillimisht e kundërshtoi, pastaj e votoi… Nëse tash tërhiqet edhe nga paralajmërimet për protesta, kjo do të thotë se te votuesit shqiptarë do të krijohet frikë se nëse BDI hyn në këtë Qeveri, do të ketë pozita më të dobëta se të VLEN-it. Kjo do t’i kushtonte mjaft të BDI-së, por megjithatë duhet të përcaktohen se cilin drejtim do të mbajnë: ose do t’u qëndrojnë fjalëve të tyre, ose do të dorëzohen para Mickoskit.
Në situatë të tilla, “Mbaje! S’po mundem ta mbajë!, Lëshoje! Nuk po më lëshon”, shihet mjeshtria politike e politikanëve të kalitur, por edhe dobësitë e politikanëve që mund të jenë të kapur. Lëvizja e radhës e BDI-së në tabllonë e shahut politik është shumë e rëndësishme, sepse nëse bëhet lëvizje e gabuar, mund të paraqitet ndonjë opsion i ri opozitar. Ky opsion, në vend të BDI-së, do të shfrytëzonte pakënaqësinë që do të krijohej ndaj VLEN-it, sepse pakënaqësi ndaj pushtetit ka ekzistuar dhe do të ekziston gjithmonë./Zhurnal
BURIMI: zhurnal.mk