“Në jetën time kam pasur shumë momente të vështira dhe sfida, por kjo e sotmja është padyshim dita më e vështirë e jetës sime.
Zemra më copëtohet dhe nuk kam forcë të flas sot. Jam i thyer dhe shpirti im është i shkatërruar.
Në jetën dhe karrierën time kam vendosur të veproj në mënyrë parimore, të përgjegjshme, të ndershme dhe transparente, pavarësisht rreziqeve dhe pasojave që mund të sjellin ato në rrugën time të jetës. Hyra në politikë për të ndryshuar diçka. U përballa me sistem thellësisht të korruptuar, i krijuar dhe i kultivuar për dekada, pjesë e të cilit janë persona nga të gjitha partitë, nga profile të ndryshme. Ky sistem, nëse nuk shkatërrohet, ky shtet nuk do të ketë asnjëherë një të ardhme dhe ky sistem nuk mund të shkatërrohet lehtë dhe shpejt, sepse është ndërtuar me dekada e jo me muaj e vite.
Unë ndjej hidhërim të thellë, përgjegjësi të madhe për gjithçka që ka ndodhur në dekadat e kaluara, si dhe për atë që kam parë deri tani, që na ka sjellë në një situatë kaq të rëndë për shtetin, shtetin ku jemi të gjithë ne dhe kjo ndjenjë është tani edhe më e thellë, sepse kjo ndodhi pikërisht tani, pas më pak se 9 muaj nga zgjedhja e kësaj Qeverie që unë udhëheq.
Në shtetin tonë ka pasur mohime dhe probleme me shtetësinë, probleme esenciale për mbijetesën e kombit dhe shtetit, kemi pasur edhe krizë lufte, konflikt të armatosur, rrëzim avioni, fundosje anijeje, rrëzim helikopteri, masakër të njerëzve të pafajshëm, fëmijët në Smillkovcë, ka ndodhur terrorizëm siç ishte rasti i Kumanovës, ka pasur përpjekje për destabilizim, skenarë të qëllimshëm, fatkeqësi të mëdha dhe të vogla. Çdo njëra me peshën e saj dhe me intensitetin e saj tragjik. Por ky është kulminacioni i një sistemi të keq, të çoroditur, që po i gëlltit shpresat tona dhe bashkë me shpresat, edhe ëndrrat tona. Ose do ta mundim ne atë, ose do ta lëmë të na mundë ai ne. Fitorja ndaj atij sistemi është e mundur vetëm me guxim, virtyt dhe parime në të cilat besojmë, në asnjë mënyrë tjetër nuk mund ta gënjesh atë sistem, sepse ai ushqehet me gënjeshtrën dhe kështu bëhet më i fortë. Sistem në të cilin njerëzit e gabuar kanë marrë vendime të gabuara.
Ta dini, vetëm me guxim, virtyt dhe shembull personal, me sakrificë personale mund të luftojmë dhe ta mposhtim atë të keqe. Atë të keqe të korrupsionit dhe abuzimit me institucionet, privatizimit të shtetit dhe shkatërrimit të gjithçkaje që është e drejtë dhe normale, e keqe ku të gjithë kanë punuar dhe bashkëpunuar mes vete në dëm të gjithë botës normale.
Kjo tragjedi është një kujtesë se sa e brishtë është jeta dhe sa pak duhet që një natë e zakonshme të shndërrohet në një humbje të paimagjinueshme.
Menjëherë u ndërmorën hapat e parë për tu përballuar me pasojat dhe për momentin kemi informacionet se objekti ku ndodhi aksidenti ka një licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit 2024 për ryshfet. Bëhet fjalë për një dokument pune për një kabare, i cili është lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe me nënshkrimin e ish-zyrtarëve të asaj ministrie. Ka shumë pyetje këtu të cilave hetimi do t’i përgjigjet.
Prandaj, në gjithë këtë që na ka ndodhur dhe po na ndodh, para së gjithash, duhet të ketë përgjegjësi penale për secilin që është i përfshirë, pa marrë parasysh nga cili institucion është, në çfarë niveli, nga cila parti, nga cili profesion, etj., deri te i fundit. Prisni që, kur bëhet fjalë për përgjegjësinë, nuk do të ketë mëshirë. Do të duhet të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër.
Në një veprim kirurgjikisht të saktë të institucioneve. Pa mëshirë.
Dhe së dyti, po aq e rëndësishme. Është e nevojshme të demonstrohet përgjegjësi morale. Shumë njerëz më thonë se populli e di që Qeveria nuk ka faj për këtë, se është një Qeveri e re që po përballet me probleme të grumbulluara për dekada dhe një sistem korrupsioni që është ndërtuar me dekada në shtet, por unë ju them, pavarësisht kësaj, ne duhet të jemi një shembull që ka domethënie dhe vlerë, dhe duhet të ketë përgjegjësi morale.
Dhe unë për këtë çështje nuk kam asnjë dilemë, as nuk do të bëj llogaritje. Mua nuk më nevojitet pushteti me çdo kusht, por jam këtu për të luftuar dhe për të demonstruar me shembull personal se si mendoj që duhet të vazhdojmë më tej dhe çfarë ndodh nëse heqim dorë.
Atëherë, a do të lejoj që sistemi i korruptuar të fitojë? Sigurisht që jo. Në ditët në vijim do të ndërmarrim një sërë masash, veprimesh dhe vendimesh që do të kenë një rëndësi të madhe në këtë luftë për këtë vend dhe në emër të të gjitha viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre. Këtë jua kam borxh juve, ua detyroj familjeve të të ndjerëve, mediave dhe çdo njeriu në Maqedoni.
Sot, më e rëndësishmja është të shprehim ngushëllime për familjet, të lutemi për familjet e të ndjerëve dhe të plagosurve dhe për popullin e Maqedonisë. Të bëjmë thirrje për bashkim dhe solidaritet dhe të përqendrohemi te faktet dhe gjithçka që është e rëndësishme për fillimin e një resetimi të madh të sistemit. Sistem i cili na tërheq të gjithëve dhe kërkon të na gëlltisë.
Ne si politikanë duhet të demonstrojmë diçka ndryshe, diçka të fortë dhe parimore, që do të mund ta mposhtë këtë sistem që po e gëlltit shtetin tonë dhe është pengesa kryesore, kërcënimi dhe rreziku më i madh për mbijetesën e kësaj toke. Ose këtë herë do t’ia dalim, ose si shtet do të pushojmë së ekzistuari. Këtë herë nuk do të ketë tërheqje.
Dëgjova edhe mesazhet nga opozita. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet në kuptimin e asaj që dikush po përpiqet të fajësojë partinë tjetër për përgjegjësinë. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve dhe të korruptuarve nga të gjitha partitë dhe institucionet. Këtë e them për të gjithë njerëzit e ndershëm në Maqedoni, qoftë në VMRO-DPMNE, LSDM, VLEN, BDI apo në parti të tjera që sinqerisht duan që shteti të ketë rend dhe rregull. Pavarësisht dallimeve ideologjike, duhet t’i japim fund korrupsionit dhe t’i shkatërrojmë njerëzit e korruptuar dhe të degjeneruar që keqpërdorin institucionet, ashtu siç ata e rrënuan dhe e shkelën atë që sot e pamë – e që janë shpirtrat tanë. Kjo është një betejë kundër një përbindëshi i cili po e gëlltit të ardhmen e vendit dhe po merr viktima me vete. Po na merr më të dashurit tanë. Dhe fitorja ndaj tij është detyra jonë.
Nëse ka përgjegjësi për mosveprim në periudhën e kaluar, do të ndërmerren hapa adekuat. Institucionet do t’i shqyrtojnë dhe hetojnë të gjitha aspektet dhe të gjitha problemet që çuan në këtë tragjedi, pa skrupuj ndaj askujt. Do të hetohen aspektet e kontrollit dhe gjithçka që opinioni publik me të drejtë e detekton si problem dhe sfidë për shoqërinë. Prandaj them, jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Do të ketë hapa dhe vendime të guximshme. Do të ketë hapa të cilat opinioni nuk është mësuar t’i shohë, por ndryshimet fillojnë nga vetja jonë.
Dua të shpreh një mirënjohje të madhe për mjekët dhe gjithë personelin mjekësor në vend, të cilët u angazhuan pa rezerva për t’u ofruar ndihmë të lënduarve, si dhe një falënderim për të gjithë miqtë dhe shtetet fqinje që u vunë në dispozicion.
Sot jam i thyer.
Nuk ka njeri në Maqedoni që nuk është i thyer dhe me shpirt të shkatërruar pas asaj që ndodhi sot.
Nuk kam fjalë, çfarë të them për ta zbutur dhimbjen dhe pikëllimin e familjeve dhe të gjithë qytetarëve, sepse ajo dhimbje është edhe e imja.
Zoti i qoftë në ndihmë familjeve të të ndjerëve dhe të lënduarve, si dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Të na japë të gjithëve ngushëllim dhe qetësim në ditët që na presin. Dhe ta ruaj Maqedoninë! Maqedonia duhet të jetë më e fortë se sistemi i korruptuar.”