Kompanitë e ndërtimit të ndajnë të paktën 10% të sipërfaqes së banimit për çiftet bashkëshortore deri në moshën 35 vjeç, dhe atë me çmim të privilegjuar, përkatësisht të paktën 20% më të ulët se çmimi i tregut, ndërsa atyre që dëshirojnë të ndërtojnë shtëpi të mos u faturohen taksat komunale. Këto janë masat që kryeministri Hristijan Mickoski i paralajmëroi me qëllim që çiftet e reja bashkëshortore të mund të sigurojnë një shtëpi të tyren, për të cilat tha se shumë shpejt do të paraqiten para deputetëve për miratim.
“Çdo kompani ndërtimi që në të ardhmen do të ndërtojë objekte banimi duhet paraprakisht të përcaktojë të paktën 10% të sipërfaqes së banimit, e cila më pas do t’u ofrohet çifteve të reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare me një çmim që do të jetë minimumi 20% më i ulët. Për çiftet bashkëshortore deri në moshën 35 vjeç që do të dëshirojnë të ndërtojnë shtëpinë e tyre, një shtëpi të re, përkatësisht, komunat të mos u faturojnë taksa komunale”, tha Mickoski.
Por sa do të pranojnë kompanitë e ndërtimit të punojnë në këto kushte, për të cilat tashmë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë bisedime dhe rregulla të qarta? Ato thonë se çështja kryesore është se kush do ta mbulojë diferencën nga ulja e çmimit të banesave, gjë që ngre pyetjen nëse kjo do të çojë në rritje artificiale të çmimit për metër katror të banesave. Mickoski tha se ata kanë parashikuar mundësinë e abuzimeve të tilla dhe për këtë arsye janë përcaktuar masa të veçanta, të parashikuara me akte nënligjore.
“Do të krahasohet me çmimin mesatar për atë komunë kadastrale nga viti paraprak. Tani, nëse kompanitë e ndërtimit kanë raportuar kontrata reale të shitblerjes gjatë vitit të kaluar kalendarik dhe nëse ato kontrata pasqyrojnë çmimin e vërtetë me të cilin janë shitur njësitë e banimit, dhe jo ndonjë çmim tjetër, atëherë nuk pres një sjellje të tillë nga ana e kompanive të ndërtimit”, deklaroi Mickoski.
Masa e paralajmëruar për ndihmën ndaj çifteve të reja bashkëshortore për blerjen e banesave nuk është e re. Një masë e ngjashme ishte zbatuar edhe në vitin 2012 nga Qeveria e Nikolla Gruevskit, e quajtur „Bli shtëpi, bli banesë“, në të cilën parashikohej që shteti të subvenciononte gjysmën e këstit mujor gjatë pesë viteve të para. Në vitin 2016 u prezantua masa „Bli shtëpi për të rinjtë“, përmes së cilës shteti mbulonte 80% të këstit mujor gjatë tetë viteve të para.
Burimi:TV21


