Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pret që ish-zëvendëskryeministri i arratisur Artan Grubi të marrë azil politik nga një shtet tjetër, sepse mendon se është e qartë se Grubi kërkohet për vepër kriminale. Sipas Mickoskit, procesi kundër Grubit nuk ka prapavijë politike.
“Prokuroria ka nisur hetime ndërsa gjykata siç jam i informuar, ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Pra, këtu nuk po flasim për arsye politike, por padyshim ka diçka ndryshe nga politika, pra ekziston dyshimi i bazuar për krim të kryer. Nuk pres që të ndodhë, por gjithsesi është vendim i atyre që do të hynin në procedurë të tillë”, deklaroi Hristijan Mickoski kryeministër.
Ndërkohë sa i përket Ligjit për Masat restriktive për personat në Listën e Zezë, të cilin e kërkon BDI-ja, Mickoski thotë se nuk do të mbështetet ligj që është në kundërshtim me kushtetutën dhe se ligjet e vendit janë të mjaftueshme për ndjekjen e korrupsionit. Nga ana tjetër, opozita sërish e drejtoi gishtin kah paria në pushtet duke theksuar se Grubi ka ikur me ndihmën e VMRO-DPMNE-së.
“VMRO-ja duhet të tregojë se cila është marrëveshja politike dhe çmimi për lirimin e Grubit? Pse heshtin VMRO-DPMNE dhe Toshkovski për faktin se “rastësisht” nuk funksionuan kamerat, “rastësisht” policia nuk dinte kë duhet të kontrollonte, “rastësisht” kufitari gaboi, përndryshe staf i Toshkovskit. Kufiri me Kosovën ka konfirmuar se meqenëse VMRO-DPMNE është në pushtet është kanali kryesor i arratisjes së kriminelëve. Ndoshta ka ardhur koha që të hapet plotësisht që të mos harxhohen para për mirëmbajtje, kështu që qytetarët të kenë një lloj përfitimi”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Artan Grubi është larguar nga vendi më 15 dhjetor dhe autoritetet ende nuk bëjnë të ditur nëse kanë informacione se ku ndodhet. Grubi është i dyshuari i dytë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore në vlerën mbi tetë milionë euro. Përveç Grubit, në këtë rast i përfshirë është edhe ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, i cili po ashtu është në arrati. /Alsat.mk
Burimi: alfax.mk