VMRO-DPMNE e dorëzoi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), iniciativën e referendumit për shfuqizimin e Marrëveshjes për Fqinjësi me Bullgarinë. Kryetari Hristijan Mickoski u shpreh se ai vetë i pari do të nënshkruaj iniciativën, për siç tha ai, pengesën kryesore në rrugën e vendit drejt BE-së.
“Nëse ndodh referendum, qytetarët do të kenë mundësi të deklarohen me ‘për’, që nënkupton se në këtë mënyrë nuk do të vlejë më kjo Marrëveshje me Republikën e Bullgarisë, ose ‘kundër’ , gjegjësisht vazhdon të vlejë kjo Marrëveshje”, deklaroi Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Në pyetjen nëse me iniciativën për referendum heqin dorë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Mickoski u shpreh se do të ishte mundësi e shkëlqyer që së bashku me referendumin njëkohësisht të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Jo, përkundrazi. Mbajtja e referendumit është mundësi e shkëlqyer që së bashku me referendumin të organizojmë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njejtin harxhim”, deklaroi Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski bëri thirrje ndaj të gjitha partive politike, qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, politike, ato që nuk janë të përcaktuar politikisht, organizatat joqeveritare, që të bashkohen dhe të rreshtohen kundër Marrëveshjes me Bullgarinë.