Michel: Ballkani Perëndimor, prioritet strategjik për BE-në

min lexim

Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë tani është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi më 14 qershor.

“Është koha të përshpejtohet procesi i integrimit të Malit të Zi në BE, për të përmbushur standardet e kërkuara në kapituj. Ne qëndrojmë me shtetin tuaj dhe rajonin”, tha Michel gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Zyrtari i lartë evropian shtoi se gjatë takimit me Gjukanoviqin kanë biseduar për propozimin e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane”.

“Ne e kemi sqaruar se qëllimi nuk është që të zëvendësohet procesi i integrimit evropian të shtetit, por integrim i drejtpërdrejt politik si një mundësi për t’u takuar në nivel të liderëve në mënyrë që të promovohet mirëkuptimi i përbashkët politik dhe përparim i përbashkët në integrimin drejt BE-së”, tha Michel.

Në fillim të majit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ishte për krijimin e një “komuniteti evropian politik” që do t’i lejonte shtetet që nuk janë në BE, përfshirë Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar, t’i bashkohen këtij unioni që do të kishte në thelb vlerat evropiane.

Michel po ashtu theksoi se BE-ja ka vepruar e bashkuar qëkur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, në mënyrë që ta sanksionojë ekonomikisht Rusinë dhe pranoi se Mali i Zi po respekton plotësisht politikën evropiane.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se vizita e Michelit është tregues i përkushtimit të BE-së për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i barabartë me integrimin”, tha Gjukanoviq, duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës po ashtu paraqet sulm ndaj sistemit të vlerave evropiane.

I pyetur nga gazetarët për nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, Michel tha se BE-ja gjithmonë do të mbështesë të gjitha nismat rajonale që nxisin zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin, por po ashtu respekton vendimet e ndërmarra nga shtetet individuale.

“Ballkani i Hapur” është nismë e iniciuar më 2019 nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Deri më tani, shtetet e tjera të Ballkanit, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina ende nuk i është bashkuar të njëjtës.

Duke folur për “Ballkanin e Hapur”, Gjukanoviq tha se Mali i Zi ndërmerr vendime brenda institucioneve dhe bazuar në interesat e saj dhe theksoi se nismat që veçse ekzistonin para “Ballkanit të Hapur” duhet të shfrytëzohen për bashkëpunim.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nozadze: Nuk kam luajtur kurrë në jetë ndaj një ekipi të Shqipërisë

Story i radhës

Skender Rexhepi i Alternativës kalon si deputet i pavarur

Të fundit nga