20
Nju Jork, 22 shtator – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti në prag të 100 ditëve të Qeverisë së re, vlerëson se marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë korrekte dhe se është normale të ketë mendime ndryshe, por që qeveria ka kapacitete demokratike dhe politike për t’i zgjidhur ato.
“Do t’i vlerësoja si korrekte. Jemi në fillim të ngritjes së gjërave dhe është normale që diku të ketë mendime ndryshe, por edhe një herë do të potencoj se qeveria ka kapacitetin demokratik dhe politik për ta zgjidhur këtë me vetë faktin se nga vitet e nëntëdhjeta e deri më tani është qeveri me numrin më të madh të deputetëve të shumicës 78 dhe me më shumë deputetë të tjerë që tashmë me një këmbë janë pjesë e shumicës”, ka thënë Mexhiti i cili këto ditë realizon aktivitete në kuadër të Javës së KB-së në Nju Jork.
Zëvendëskryeministri, siç informon raportuesi i MIA-s nga Nju Jorku konsideron se i përmbahen asaj që kanë thënë gjatë fushatës kundër biznesit të kazinove.
“Tashmë kishte një marrëveshje të kontestuar të Lotarisë së Maqedonisë. Të martën pritet të miratohen dy vendime – një për anulimin e të gjitha licencave për kazinotë onlajn dhe pika e tretë do të jetë lufta e pa kompromis kundër organizimit të biznesit të kazinove në të zezë, që është problem jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për rajonin. Së dyti, lufta kundër korrupsionit është intensive, e pakompromis duke mos harruar postulatet se nuk duhet të jetë revanshizëm, nuk duhet të jetë monoetnik, por duhet të jetë e drejtë dhe të gjithë ata që kanë gabuar duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, ka thënë Mexhiti në deklaratën për media në Nju Jork.
Në këto 100 ditë, kishte vendime që treguan dhe dëshmuan se për “VLEN”-in investimi më i rëndësishëm është faktori njerëzor, duke vënë në dukje pastaj vendimin që u soll në seancën e qeverisë për kampusin universitar “Nënë Tereza” prej 35 milionë euro.
Angazhimet e kësaj Qeverie, thotë Mexhiti janë përforcimi i decentralizimit që siç thotë ai, “është shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerës evropiane”.
“Kjo Qeveri filloi me premtimet, do të ndajë mjete për komunat pa marrë parasysh përkatësinë politike apo ngjyrën, në bazë të metodologjisë sipas numrit të banorëve të të gjitha komunave dhe në bazë të ideve dhe projekteve që ato tashmë i kanë dorëzuar. Këtë vit do të jenë 100 milionë euro, ndërsa në vitet në vazhdim nga 250 milionë euro. Në një mandat pra rreth një miliard euro. Nuk ndalemi këtu, por në kuadër të BNJVL-së tashmë është duke u negociuar për një fazë të re të decentralizimit fiskal e cila është zgjidhje sistematike për përforcimin e decentralizimit, sepse në fund pushteti komunal është më afër qytetarëve dhe mundet më lehtë të zgjidhin problemet e tyre”, ka thënë Mexhiti.
Në kuadër të vizitës në Nju Jork, zëvendëskryeministri Mexhiti së bashku me presidenten Gordana Siljanovska Davkova e cila kryeson delegacionin shtetëror në Asamblenë e përgjithshme të KB-së dhe ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Timço Mucunski, vizituan Qendrën civile Dibra në kuadër të së cilës funksionon xhamia në Frighold, Nju Xhersi ku mblidhen mërgimtarët me origjinë nga Dibra. Mexhiti dhe Siljanovska Davkova më herët kanë qenë edhe në kishën “Shën Nikolla” po në Nju Xhersi në liturgji dhe takim me diasporën.
Mexhiti ka thënë se kjo mënyrë e komunikimit me diasporën tregon në një qasje të re dhe porosi të qartë për një interpretim të ri të gjërave.
“Biseduam edhe për problemet me të cilat përballen në vendkalimet kufitare dhe për probleme të tjera që duam t’i lehtësojmë dhe t’i zgjidhim, por dhamë edhe një mesazh të qartë se ky është një fillim i ri, qeveri e re dhe një interpretim i ri i gjërave. Prandaj bashkë me presidenten e shtetit dhe ministrin e Punëve të Jashtme vizituam kishën “Shën Nikolla” dhe më pas ishim së bashku në Qendrën kulturore islame ku na pritën dibranët. Ky ishte një mesazh i mirë për ta dhe për qytetarët se ky është një fillim i ri dhe respektim i vlerave të ndryshme”, ka thënë zëvendëskryeministri Mexhiti.
BURIMI: zhurnal.mk