1
Shkup, 22 shtator – Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në një intervistë për Radion Evropën e Lirë ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar Balancuesin. Ai tha se këta janë gjyqtarë të zgjedhur nga qeveria e mëparshme, pavarësisht se kush janë. Së dyti, sipas tij është e çuditshme që këto çështje që nuk janë të djeshme, por që prekin qytetarët prej së paku një dekade, të dalin papritmas që në fillimet e qeverisjes së re. Kjo nuk mund të jetë rastësi, e njëjta gjë ka ndodhur me Ligjin për Gjuhët, me “balancuesin” dhe fenomene të tjera, gjë që është simptomë e faktit se pikërisht tani po hapen artikuj që kanë qenë me vite në sirtar.
“Parimisht, ‘balancuesi’ ishte në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve më të vogla në administratën shtetërore dhe publike. Për të qenë i sinqertë, vitet e para kontribuuan për këtë dhe përmirësoi imazhin e përkatësisë etnike në administratën publike dhe shtetërore. Mirëpo, vitet e fundit nuk ka qenë në funksion por ka pasur kundërefekt sepse ka pasur shumë raste që edhe pse ‘balancuesi’ thotë se duhet të punësohet një shqiptar, turk apo maqedonas, njerëzit kanë bërë deklarata të rreme për t’u punësuar. Në nivel qendror maqedonasit mund të deklaroheshin si shqiptarë, në nivel lokal shqiptarët si maqedonas. Pra, ‘balancuesi’ është jashtë funksionit të tij. Kemi një marrëveshje politike që ta rregullojmë me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, por edhe cilësor. Nëse një maqedonas duhet të punësohet, po, do të punësohet, por ai me cilësi më të mira. Nëse një shqiptar ka nevojë të punësohet – po, por ai me cilësi më të mira, më i arsimuari, më i përgatituri do t’u shërbejë më mirë qytetarëve për nevojat e tyre nesër, pasnesër”, ka theksuar mes tjerash Mexhiti.
BURIMI: zhurnal.mk