2
Berlin, 2 tetor – Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot mori pjesë dhe kishte paraqitje në Festivalin e parë gastronomik shqiptar që tuboi në një vend 110 komapani nga Ballkani, si dhe bëri bashkë ata me vendimmarrësit politik nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Në panelin me temë ‘Ku tradita takohet me tregtinë’ nën praninë e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ministrin për Evropë dhe Punë të Shqipërisë Igli Hasani, ministrin e Ekonomisë dhe Punës së RMV-së Besar Durmishi, kryetarin e Tetovës Bilall Kasami, Mexhiti tha se diaspora e madhe dhe e suksesshme shqiptare, po na bën krenarë çdo ditë nëpër gjithë botën, ndërsa kanë bërë që Berlini për 2 ditë të frymon shqip.
‘Një ngjarje e këtillë, që na bashkon të gjithëve në një skenë të madhe ndërkombëtare, na bën krenarë si komb dhe na tregon se sa shumë kemi për të ofruar. Faleminderit organizatorëve për këtë mundësi dhe përkushtimin e tyre në promovimin e imazhit pozitiv të shqiptarëve nëpër botë. Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të tregojmë botës se shqiptarët janë të gatshëm të shkëlqejnë kudo’ tha Mexhiti.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky është panairi tregtar më i madh i organizuar nga shqiptarët jashtë vendit
“Qindra shqiptarë e shqiptare të bashkuar në një vend, në “Arena Halle” në Berlin në panairin tregtar më të madh të organizuar nga shqiptarët jashtë vendit. Kënaqësi e veçantë të jem në ceremoninë hapëse bashkërisht me zv/kryeministrin, Izet Mexhiti, Ministrin e MEP, Besar Durmishi, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe qindra biznesmenë të suksesshëm nga brenda dhe jashtë vendit”, ka shkruar Kasami duke shprehur mirënjohjen thellë për këtë event.
Edhe Mexhiti tha se ky panair nuk është vetëm një festë e shijeve dhe traditave tona, por edhe një platformë që tregon fuqinë tonë për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të treguar vlerat e kulturës sonë të pasur.
Festivali Botëror i Gastronomisë Shqiptare ka tubuar në një vend në Berlin110 kompani nga sfera e gastronomisë, liderë shqiptar të Ballkanit, kryetar komunash, biznesmenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Arbëreshët e Italisë.
Ne panair u tha se vetëm në Berlin ka mbi 600 restorane shqiptare, ndërsa në botë mbi 27 000, që promovojnë kulturën dhe traditën shqiptare anë e mbanë botës. Kompani nga Maqedonia e Veriut ishin Dauti Komerc dhe Tikvesh.
BURIMI: zhurnal.mk