Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj partnerit të koalicionit, Arben Taravari, duke e akuzuar për devijim nga qëllimi politik i përbashkët i VLEN-it. Në një intervistë përballë gazetares Arta Tahiri në ALSAT, Mexhiti ishte i prerë: VLEN duhet të përballet me BDI-në dhe jo të kthehet në një “garë të brendshme” për dominim mes partive partnere.
Sipas Mexhitit, qëndrimet e fundit të Taravarit, të shprehura hapur në media, zbulojnë një problem të thellë konceptual. Ai tregon se Taravari ka artikuluar ide për bashkëpunim të mundshëm me BDI-në në disa komuna në zgjedhjet lokale të vitit 2025, një qëndrim që bie ndesh me frymën politike të VLEN-it.
“Ka pasur disa koncepte të lëshuara nga z. Taravari… Ne kemi dalë me një qëndrim të qartë: Beteja jonë është me BDI-në, jo me njëri-tjetrin brenda VLEN-it. Taravari, përkundrazi, propozon që të shkojmë tek të vegjlit, kjo vetëm sa do të djegë këshilltarë dhe do të përforcojë BDI-në”, deklaroi ashpër Mexhiti.
Ai theksoi se sistemi zgjedhor i listave (Sistemi i Dontit) favorizon partitë e mëdha dhe çdo përpjekje për ndarje të panevojshme të votës është shërbim indirekt për BDI-në dhe për kreun e saj, Ali Ahmeti.
Kjo përplasje brenda VLEN-it vë në pikëpyetje unitetin e koalicionit qeveritar dhe nxjerr në pah tensionet e brendshme për drejtimin strategjik në zgjedhjet e ardhshme lokale.