Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i ka dëshiruar mirëseardhje Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup.
Në një takim të mbajtur në prani të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai, u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe për perspektivat e përbashkëta në rajon.
Mexhiti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në proceset integruese evropiane, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi vizitën e Presidentit Begaj si një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve vëllazërore dhe institucionale mes dy vendeve.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por aleatë dhe partnerë strategjikë me një vizion të përbashkët për një rajon më të zhvilluar dhe më të sigurt, të integruar plotësisht në familjen evropiane,” deklaroi Mexhiti.
Vizita e Presidentit Begaj në Shkup vjen në një moment kyç për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke konfirmuar angazhimin për një bashkëpunim të vazhdueshëm në të gjitha fushat me interes të përbashkët.